Një 27-vjeçar nga Kosova u ndëshkua me masë administrative 55 000 lekë, pasi qarkullonte në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kosovës, me shpejtësi 197 km/orë dhe pa vënë rripin e sigurimit.
Sipas policisë, si rezultat i monitorimit intensiv nga punonjësit e Policisë Rrugore, duke përdorur pajisjet e logjistikës bashkëkohore, që ka tashmë në dispozicion Policia Rrugore, në aksin rrugor “Tuneli i Kalimashit-Morinë”, u konstatua mjeti luksoz tip “Audi A7” që qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara.
Pas verifikimeve, rezultoi se 27-vjeçari nga Kosova e drejtonte mjetin, me shpejtësi 197 km/orë dhe pa vënë rripin e sigurimit. Për te dyja këto shkelje, konform Kodit Rrugor, ky shtetas u ndëshkua me masë administrative 55 000 lekë të rinj.
Gjithashtu, për shkak të rritjes së fluksit të lëvizjes, gjatë fundjavës që lamë pas, shërbimet e Njësisë për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, kanë intensifikuar kontrollet, duke përdorur mjetet inteligjente, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve rrugore.
Gjatë kësaj fundjave, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masat administrative përkatëse: 357 drejtues mjetesh për qarkullim me shpejtësi mbi normën e lejuar.
Për 41 prej tyre është caktuar edhe sanksioni plotësues, pezullim i lejes së drejtimit; 70 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara; 3 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit, nën efektin e alkoolit.
Në të gjithë gjatësinë e autostradës “Milot-Morinë”, vijojnë kontrollet me makina inteligjente, radarë automatikë, dronë, kamera dhe alkool-testues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

