Edi rama hashim thaci

Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot lidhur me procesin gjyqësor ndaj katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) , Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, në Gjykatën Speciale me seli në Hagë.

“Ja edhe arsyeja kur flet përballë idiotësisë ndërkombëtare,” shkroi Rama, duke komentuar përfundimin e deklaratës përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit.

Mbrojtësit e ish-presidentit argumentuan se Thaçi duhet të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka vërtetuar akuzat kundër tij.

“Hashim Thaçi është i pafajshëm. Në këtë pikë të procedurës, ligji kërkon që ai të supozohet i pafajshëm. Besojeni ose jo, kam dëgjuar edhe presidentë të gjykatave ndërkombëtare penale të mbajnë fjalime, ku e kanë kanë theksuar se ku e kanë gabim këtë. Ata thonë se një shpallje e pafajshme nuk do të thotë se ata ishin të pafajshëm. Ky lloj të menduari udhëheq të gjithë procesin ndërkombëtar të gjyqeve. Para jush janë katër burra për të cilët ligji supozon pafajësinë”, tha avokati.

Sipas tij, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur pretendime, por provat duhet të bindin gjykatën përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ata janë fajtorë.

“Kjo procedurë është ngritur sepse Prokuroria e Specializuar ka dalë përpara dhe ka paraqitur pretendimin se ka prova që vërtetojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se të akuzuarit janë fajtorë. Për më shumë se pesë vite, ne kemi qenë të angazhuar në një proces të hartuar për të vënë në provë pretendimet e Prokurorisë së Specializuar dhe për të vërtetuar akuzat e saj. Ky gjyq, pra, nuk është një shqyrtim i jetës së Hashim Thaçit, por një provë e pretendimeve të Prokurorisë. Kur të filloni shqyrtimet, do të filloni nga pozicioni se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Thaçi është fajtor. Nëse Prokuroria e Specializuar nuk ju bind, dhe nuk arrini në përfundimin se ekziston një shpjegim i arsyeshëm i provave që e lidhin Thaçin me fajin për akuzat në aktakuzë, atëherë duhet të konstatohet se Prokuroria ka dështuar dhe të jepet një vendim lirimi”, tha ai.

Avokati deklaroi se Hashim Thaçi do të mbetet i pafajshëm sipas ligjit.

“Ne pohojmë se shqyrtimet tuaja do të arrijnë në përfundimin e pashmangshëm se Prokuroria e Specializuar nuk ka mundur të përmbushë barrën e saj të provës,” deklaroi mbrojtësi i Thaçit.

Nga ana e saj, Prokuroria e Specializuar në Hagë pretendon se Thaçi ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët dhe se deklaratat e tyre duhen marrë me rezervë. Sipas prokurorisë, figura të njohura ndërkombëtare, si James Rubin dhe Wesley Clark, nuk kishin kuptuar plotësisht situatën në terren dhe aftësinë e Thaçit për të maskuar veprimet e tij, çka ka ndikuar në perceptimin e tyre për funksionimin e UÇK-së.

Prokuroria ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh për secilin nga të akuzuarit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999, në disa zona të Kosovës dhe veriun e Shqipërisë. Të katërtit kanë deklaruar se janë të pafajshëm.

Pas përmbylljes së deklaratave përmbyllëse, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë vendim, me mundësinë e zgjatjes së këtij afati

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights