Capture 544

Në ditën e dytë të mbledhjes së Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KPSA) u diskutua tema e ekonomisë dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, vuri theksin në disa pika kyçe për zhvillimin e vendit dhe nevojën për reforma të thella ekonomike.

Tabaku theksoi nevojën për modernizimin e modelit ekonomik të Shqipërisë, duke evidentuar se ekonomia aktualisht mbështetet kryesisht në ndërtimin, një sektor i ngarkuar nga korrupsioni dhe krimi, si dhe në bujqësinë që është në rënie të vazhdueshme. Sipas saj, “ Modeli duhet ndryshuar. Duhet t’u japim përparësi sektorëve si teknologjia, bujqësia dhe industria. Këta sektorë të nënvlerësuar mund të krijojnë një bazë të fuqishme për rritjen ekonomike dhe për zhvillimin e kapitalit human në vend .”

Një tjetër pikë kyçe që Tabaku ngriti ishte ekonomia informale dhe shpërndarja e padrejtë e kontratave publike. Ajo vuri në dukje se mbi 800 mijë transaksione të dyshimta të parave të pista po ndikojnë negativisht në qasjen e bizneseve të reja që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri. “ Kapja ekonomike e vendit është një nga pengesat kryesore që duhet luftuar me të gjitha mjetet e mundshme ”, deklaroi Tabaku, duke shprehur shqetësimin për koncesionet dhe PPP-të e qeverisë aktuale që po e zhysin ekonominë në varësi të interesave të një pakice të korruptuar.

Tabaku gjithashtu kritikoi mungesën e hapjes ekonomike të Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar si një dështim të papranueshëm që kërkon ndërhyrje urgjente. Ajo bëri thirrje për luftë ndaj status quo-së, për të mbrojtur dhe fuqizuar shtresën e mesme, për të shpërndarë të ardhurat në mënyrë të drejtë dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë që po largohen nga vendi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights