Gjatë këtij viti, 26,216 qytetarë janë pajisur me vendim legalizimi, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt garantimit të sigurisë juridike të pronës dhe përmbylljes së një procesi të gjatë dhe të shumëpritur nga qytetarët, bën të ditur Kadastra Shqiptare.
Procesi i legalizimit ka avancuar ndjeshëm falë përshpejtimit të procedurave administrative, rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe angazhimit të strukturave vendore, me synimin për të përmbyllur sa më shumë dosje të mbartura ndër vite.
Pajisja me vendim legalizimi u garanton qytetarëve siguri juridike mbi pronën e tyre, duke krijuar mundësi për regjistrimin përfundimtar të pasurisë në regjistrat kadastralë, përdorimin e pronës si kolateral financiar, si dhe realizimin e transaksioneve të ligjshme.
Sipas statistikave të publikuara nga Kadastra Shqiptare, në tremujorin e parë të këtij viti janar-mars janë 1810 vendime legalizimi dhe për periudhën janar-dhjetor u dhane 3 081 vendime legalizimi në shkallë vendi.
Kadastra vlerëson bashkëpunimin dhe durimin e treguar nga qytetarët gjatë gjithë procesit, duke theksuar se kontributi i tyre ka qenë thelbësor për finalizimin e suksesshëm të procedurave.
Institucioni bën të ditur se puna do të vijojë edhe në muajt në vijim, me fokus përfundimin e dosjeve të mbetura dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, në funksion të forcimit të sigurisë juridike të pronës dhe konsolidimit të të drejtave pronësore në vend.

