Policia tirane 1

Një skemë mashtrimi është zbuluar nga policia e Tiranës, ku dy persona akuzohen se kanë përfituar mijëra euro duke u prezantuar në emër të një zyrtari të lartë vendor. Njëri prej tyre, Ervis Belollari, është vënë në pranga, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Arsen Matollari, është shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve, mashtruesit kishin kontaktuar një biznesmen nga Lushnja dhe i ishin prezantuar si një kryetar bashkie ose zyrtar i lartë. Me justifikimin se kishin një problem shëndetësor që kërkonte trajtim në një spital privat në Tiranë, ata i kërkuan fillimisht 6 mijë euro. Biznesmeni, duke mos dyshuar, ua dha shumën e kërkuar.

Pas marrjes së parave, mashtruesit tentuan të vijonin skemën duke i kërkuar biznesmenit edhe 7 mijë euro të tjera. Në këtë moment, ai dyshoi për mashtrimin dhe vendosi të denoncojë rastin pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë.

Pas hetimeve, policia arrestoi Ervis Belollarin, ndërsa po punon për kapjen e Arsen Matollarit dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Autoritetet dyshojnë se të dy mund të kenë qenë të përfshirë edhe në raste të tjera mashtrimi dhe hetimet janë në vijim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights