I shumëkërkuari Laert Haxhiu është vënë në pranga, teksa mësohet se arrestimi i tij është bërë në Greqi. Bëhet me dije se ai qëndronte në shtetin fqinj me dokumente të falsifikuara. Identiteti i falsifikuar në lejen e qëndrimit greke është Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërsa Gjykata e Posaçme e ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës.
Ndërsa dy shokët e tij Arterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili janë dënuar me burgim të përjetshëm, për ekzekutimin e Latifit dhe Hoxhës.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim kryerjen e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt vendit tonë.
Laert Haxhiu njihet si rival i bandës së Aldo Bares. Laert Haxhiu është i afërmi i Bledar Haxhiut, të ekzekutuar nga banda e Aldo Bares në vitin 1998. Ai i cili thuhet se dorëzoi trupin e mikut të tij Artur Daja te banda e Aldo Bares kundrejt një marrëveshje me këtë të fundit, por që u ekzekutua në pritë prej ushtarëve të dërguar prej tij, por ku një ngjarje tjetër do të shërbente si pretekst që Laert Haxhiu të niste nga puna për eliminimin e bandës së Lushnjës.
Në janar të vitit 2005, anëtarë të kësaj bande vrasin Klodian Haxhiun, djalin e Shkëlqimit, xhaxhait të Laert Haxhiut. Do të ishte kjo vrasje, nisja e një revanshi të përgjakshëm tashmë nga Laert Haxhiu, ku në qendër të breshërive të plumbave tanimë do të ishin anëtarë të bandës së Aldo Bares. I pari që do të ekzekutohej do të ishte Gerti Lala, anëtar i bandës së Lushnjës, që mbante pseudonimin “Iriqi”, ku të arrestuar në lidhje me këtë krim, ishin Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, të cilët më pas u shpallën të pafajshëm dhe u liruan nga Gjykata e Rrethit Vlorë.
Por ky do të ishte vetëm fillimi i një serie të gjatë dhe tragjike të aksioneve që Laert Haxhiu dhe grupi i tij do të ndërmerrnin ndaj anëtarëve të bandës së Aldo Bares. Ajo që do të cilësohej si kapitulli më i përgjakshëm i gjithë kësaj dhune të pambarimtë gjaku, do të ishte “Masakra e Lushnjës”, ndodhur më 11 Tetor 2017, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Përroit”, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si edhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe një kalimtar i rastit, por ku objektivi i vërtetë i atentatit, ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, i cili, edhe më herët në vitin 2016 i kishte shpëtuar një tjetër atentati, ku thuhet se organizatori ishte i njëjti emër, Laert Haxhiu.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, tre persona të cilët qëlluan pa mëshirë në drejtim të lokalit ku ndodheshin shënjestrat e tyre, ishin Laert Haxhiu, Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili.
Sajmo Xhelili, që mrekullisht i shpëtoi këtij atentati, tregoi për hetuesit se ai dhe miqtë e tij kishin rënë edhe në vitin 2016 pre e një atentati të organizuar nga Laert Haxhiu, ku ai vetë dhe Xhulio Shkurti kishin mbetur të plagosur.