Të paktën 31 persona kanë humbur jetën dhe 159 të tjerë janë plagosur si pasojë e një prej sulmeve më të rënda ruse të javëve të fundit në Kiev.
Një breshëri raketash dhe dronësh goditi kryeqytetin ukrainas gjatë natës, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima, përfshirë tre fëmijë të vrarë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi që të vendosen sanksione ndaj Moskës.
“Edhe një herë, ky sulm i poshtër nga Rusia tregon nevojën për rritjen e presionit ndaj Moskës dhe vendosjen e sanksioneve shtesë. Pavarësisht sa shumë e mohon Kremlini efektivitetin e tyre, sanksionet funksionojnë dhe ato duhet të forcohen”, tha ai.
Ndër viktimat ishte edhe një police patrulle, nën-togerja Liliia Stepanchuk, e cila shërbente në Policinë e Kievit që prej vitit 2017. Trupi i saj u gjet nën rrënoja në distriktin Sviatoshynsky, sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës. Ndër të plagosurit janë raportuar edhe tre efektivë policie.
Sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, 30 persona, përfshirë pesë fëmijë, ndodhen ende në spital. Ai theksoi se ky është numri më i lartë i fëmijëve të plagosur në një ditë të vetme në Kiev që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia.
Rusia e ka sulmuar Ukrainën në muajin korrik me një numër dronësh më të madh se në çdo muaj tjetër që nga pushtimi i vitit 2022.
Këtë e ka zbuluar agjencia AFP, e cila citon një analizë të bazuar në të dhënat e publikuara nga Forcat Ajrore të Ukrainës. Moska ka përdorur 6,297 dronë kundër Ukrainës, që është 16% më shumë se në qershor.