Marrëveshja për mineralet e rralla të Ukrainës, me SHBA-në, është quajtur nga presidenti amerikan, Donald Trump një “pakt shumë i madh” e përmes saj do të rikthehen miliarda dollarë në Uashington, si shpagim për ndihmën ushtarake që i është ofruar Kievit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili pritet në Uashington për ta nënshkruar atë, e ka përshkruar dokumentin si “marrëveshje kornizë”, që sipas tij, do të ndihmojë në garantimin e mbështetjes amerikane për luftën me të cilën po përballet Ukraina.
Në zemër të marrëveshjes me 17 pika, katër faqe, në gjuhën angleze dhe ukrainase, dhe me hapësira për firmat e sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, dhe zëvendëskryeministres së parë të Ukrainës, Yuliya Svyrydenko, është një fond i përbashkët, që do të financohet nga të ardhurat që vijnë prej nxjerrjes së mineraleve të vlefshme nga toka e Ukrainës.
Mirëpo, marrëveshja përmend vetëm synimin për të hapur fondin, dhe nuk përbën bazë ligjore për hapjen e tij, vlerësojnë ekspertët. Është e paqartë se kur mund të ndodhë diçka e tillë. Kjo do të thotë se do të ketë hapësirë interpretimi edhe për mënyrën se si do të duket gjithçka. Korniza përmend fondet në të ardhmen, dhe jo fondet që sigurohen tani prej entiteteve sikurse Naftogaz.
Ky gjigant shtetëror i energjisë kontribuon me rreth 15 për qind në buxhetin qeveritar. Në dokument përmendet që Kievi do të kontribuojë në fond me 50 për qind të të ardhurave, përmes projekteve të ardhshme shtetërore. Paratë prej fondit do të ndahen nëpër projekte brenda Ukrainës, “për të rritur zhvillimin, nxjerrjen dhe monetizimin e të gjitha aseteve publike dhe private të Ukrainës, përfshirë depozitat e mineraleve, naftën, gazin natyror, materialet tjera, infrastrukturën, portet dhe sipërmarrjet tjera shtetërore”.
Kjo pjesë është ndryshuar, për dallim prej drafteve paraprake, që përcaktonin se paratë do të shkojnë për shpagim të ndihmës amerikane, diçka që Zelensky e ka kundërshtuar. Për më shumë, do të duhen vite që këto projekte infrastrukturore të jetësohen, ndoshta shumë kohë pasi Trump të përfundojë mandatin. Ekspertët mendojnë se marrëveshja nuk pritet të ketë peshë ekonomike për sa kohë ukraina është në luftë. Por, nëse ajo e bën trumpin të duket fitues, është dicka e mirë.
Shërbimi Gjeologjik i Ukrainës ka thënë se vendi ka sasi të konsiderueshme të mineraleve të tokës dhe minerale të tjera të çmuara, dhe një pjesë e mirë e tyre janë në territoret që i ka pushtuar Rusia.