Të gjithë shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga marrëveshja për pensionet mes dy vendeve që nga 1 Qershori i këtij viti. Lajmin e jep kryeministri Edi Rama.
“Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë”, shprehet ai duke iu referuar kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Kreu i qeverisë thotë se e ndau këtë lajm sot për t’i dhënë vëmendjen e duhur duke qenë se sytë këto ditë kanë qenë te Samitin i Komunitetit Politik Europian.
Lajmi i mirë sipas Ramës është se “nga 1 Qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë”.
Marrëveshja për njohjen e periudhave kontributive mes Shqipërisë dhe Italisë, u jep mundësinë emigrantëve shqiptarë që të trajtohen me pension në Itali dhe në Shqipëri në të njëjtën kohë.
Sipas shifrave zyrtare, janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë të cilët do të jenë përfitues të pensioneve në Itali dhe Shqipëri, të cilët do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.
Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen.
Ata që kanë 10 vite punë në Shqipëri, e më pas emigruan dhe bënë edhe 10 vite punë në Itali, do përfitojnë pension, duke marrë dy pensione: i pari nga Italia për aq vite punë që kanë atje dhe i dyti nga Shqipëria për vitet e punës që kanë bërë këtu.
Qeveria Rama dhe ajo italiane e Melonit e nënshkruan më 6 Shkurt të vitit 2024 marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore mes dy shteteve.