Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu është takuar këtë të shtunë, më 6 shtator, me punonjësit socialë, psikologët dhe oficerët e sigurisë në shkolla përpara nisjes së vitit të ri shkollor.
Siç tha Manastirliu, ata do të punojnë me një udhëzues të ri, të përditësuar, për të garantuar një mjedis më të sigurt dhe të qetë në shkolla, pjesë e Planit të Sigurisë që po zbatohet nga Ministria.
“Për ne është e rëndësishme që figura e oficerit të sigurisë në shkollë, e psikologut dhe e punonjësit social të fuqizohet edhe më shumë. Ne jemi duke punuar që, në kuadër të Planit të Veprimit për Sigurinë në shkolla dhe për përforcimin e mekanizmave parandalues ndaj çdo forme të dhunës dhe bullizmit në shkollë, të kemi mundësi të rrisim numrin e oficerëve të sigurisë dhe të forcojmë mekanizmat ndihmës për këto njësi të rëndësishme që garantojnë mbrojtje dhe siguri për fëmijët tanë brenda dhe jashtë perimetrit të shkollës.”, tha Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj, ajo u ndal te përmirësimet e bëra në modulet dhe protokollet si dhe në mjetet digjitale të punës.
Sipas saj, ato garantojnë që oficeri i sigurisë në shkollë, punonjësi social dhe psikologu të kenë më shumë instrumenta ndihmës edhe për rastet që duhet t’i raportojnë në kohë reale.
“Kemi vënë në dispozicion edhe platformën elektronike SMIP për informacionin e shpejtë, për ta aksesuar në kohë reale, informacion i cili jo vetëm mbetet i gjurmueshëm në sistem, i aksesueshëm nga drejtoria e shkollës dhe mësuesit kujdestar, por edhe në arkivën elektronike të shkollës. Plani individual i edukimit për nxënësit duhet të bazohet mbi eksperiencat dhe sjelljet e nxënësit brenda shkollës.”, shtoi ajo.
I rëndësishëm sipas saj është përforcimi i pranisë së oficerëve të sigurisë në institucionet arsimore dhe shtrirja e shërbimit psiko-sociale në sistemin arsimor parauniversitar.
“Ju jeni kolonat që mbani sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve tanë. Tashmë i kemi të gjitha instrumentat nga njësitë e mbrojtjes së fëmijëve, tek mekanizmat koordinues kundër dhunës e bullizmit, deri te sistemet e informacionit digjital që janë në funksion të punës suaj dhe kontaktit të drejtpërdrejtë. Por ajo që është e rëndësishme, është që ne do të kemi më shumë oficerë sigurie në shkolla. Këtë vit të ri shkollor, do të kemi më shumë se 390 oficerë sigurie.”, tha ministrja e cila shtoi se dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, së bashku me Akademinë e Sigurisë, po trajnojnë të gjithë ata që kanë shprehur vullnetin për t’u bërë pjesë e oficerëve të sigurisë në shkolla.