U prezantua sot Raporti i Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë: “Arritjet dhe sfidat drejt Universitetit 4.0”, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, drejtuesve të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, si dhe Rektorët e universiteteve publike dhe jopublike.
Ministrja Manastirliu në fjalën e saj foli për rëndësinë e procesit të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë, duke theksuar se synimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe universiteteve është të rrisë cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve të studimit të lidhura drejtpërdrejt me tregun e punës.
“Kemi bërë të mundur që në këto vite të kemi një rritje të financimit në institucionet e arsimit të lartë me 40%, kemi 5-fishuar fondet për kërkimin shkencor në universitetet tona përmes programeve, të cilat çdo vit zgjerohen në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të lartë dhe programeve të kërkimit shkencor, dhe gjithashtu lidhjeve me industrinë dhe biznesin, që është edhe në fokus të punës tonë në raport me programet e reja të studimit e gjithashtu edhe me fushat prioritare, stratgjike të zhvillimit të vendit”, tha ministrja Manastirliu.
Duke folur për zhvillimet e fundit dhe standardet e reja europiane të universiteteve, për të shkuar drejt Universitetit 4.0, Ministrja Manastirliu tha:
“Ekonomia 4.0 kërkon aftësi 4.0, që do të thotë që dalin përtej mureve të universiteteve tona, për të ndërtuar jo vetëm kampuse fizike, por kampuse online me universitetet në botë dhe për të krijuar mundësinë që të jemi të orjentuar drejt teknologjisë, inovacionit, kërkimit shkencor dhe shkencës së hapur, gjë e cila po ndodh me hapa të qëndrueshëm. Sot më shumë se kurrë ne jemi afër zhvillimit të inovacionit brenda institucioneve të arsimit të lartë dhe zhvillimit të programeve të studimit, në mënyrë që diplomat tona të mos jenë vetëm ato 4-vjeçaret. Pra Universiteti 4.0 kërkon që universiteti ti shërbejë të mësuarit përgjatë gjithë jetës, ndaj transfromimi i universiteteve tona duhet të fillojë pikërisht nga këto mësime të mësuara në këto vite, në zbatim të ligjit për arsimin e lartë, por edhe të instrumentave dhe institucioneve që janë krijuar, sikurse është edhe Bordi i Akreditimit”.
Raporti i prezantuar nga Bordi i Akreditimit dha një analizë të sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri, që evidenton zhvillimet dhe sfidat kryesore në sektorin e arsimit të lartë, përfshirë ndryshimet në numrin e studentëve, cilësinë e kurrikulave, kualifikimin e stafit akademik, kërkimin shkencor dhe lidhjen me tregun e punës.