Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, ka dalë sot në një deklaratë për mediat, duke konfirmuar se bojkoti i avokatëve do të vijojë deri të premten, më 25 tetor. Megjithatë në fund paralajmëroi se bojkoti mund të zgjaste edhe një muaj, nëse ka përsëritje të rastit si arrestimi i avokatit në Elbasan.
“Kupa është mbushur, dhe po qe se do ketë një rast të tillë, po ju garantoj se do abandonohen të gjitha proceset dhe jo për një javë por për muaj.”, tha ai.
Haxhia theksoi se kjo nismë ka gjetur mbështetje të gjerë jo vetëm në opinionin publik shqiptar, por edhe në nivel ndërkombëtar. Sipas tij, Dhomës së Avokatisë i është ofruar mbështetje nga organizata më e madhe e dhomave të avokatisë në Europë, e cila është e gatshme të dërgojë një ekip për të ndihmuar dhe mbajtur kontakte me palët.
“E padëgjuar ndonjëherë të arrestohet avokati për shkak të kryerjes së detyrës së tij në aspektin e mbrojtjes. Bojkoti ishte për t’i thënë gjithë kolegëve prokurorë dhe gjyqtarë, organeve drejtuese veçanërisht, ILD-së, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, KLP dhe KLGJ, që të jenë të përgjegjshëm në trajtimin e pozicionit ligjor të avokatit.Dhe mund të them që kjo ka gjetur mbështetjen jo vetëm në opinionin shqiptar dhe në rrethin e kolegëve, por ne kemi vënë në dijeni edhe CCBE-në, organizata më e madhe në BE e dhomave të avokatisë, që janë shumë të shqetësuar në këtë rast, dhe ata janë të gatshëm të dërgojnë këtu një ekip për të mbajtur kontakte dhe pëtr të ndihmuar.”, tha Haxhia. Ai shtoi:“Qëllimi jonë madhor nuk është të vëmë para përgjegjësisë një gjyqtar, një prokuror, apo officer të policisë gjyqësore, por nëpërmjet rastit t’i kujtojmë dhe detyrojnë të zbatojnë ligjin.”
Në cilësinë e kryetarit, Haxhia falënderoi kolegët për respektimin e rregullave të bojkotit në mënyrë strikte dhe rigoroze. Por shprehu kritika ndaj Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan: “Dua t’ju bëj me dije që jam shumë i shqetësuar me trajtimin e çështjes Akoma nga prokuroria e Elbasanit që e mban çështjen dhe nuk e çon në prokurorinë më të afërt për shkak të interesave. Kjo tregon që nuk janë disponibël për të zbatuar ligjin.”
Në fund, ai u shpreh i zhgënjyer nga mungesa e reagimit të KLP-së dhe KLGJ-së, duke i cilësuar si të plogëta dhe joaktive. Ai u bëri thirrje aktorëve të përfshirë në Reformën në Drejtësi që të rishikojnë të gjitha strukturat e miratuara dhe të marrin masa për përmirësimin e sistemit.
“Jam i keqardhur nga organet drejtuese të pushtetit gjyqësor, KLP, KLGJ dhe ILD që skanë mbajtur asnjë kontakt. Edhe pse i jemi drejtuar në mënyrë zyrtare. Kjo tregon plogështinë dhe inaktivitetin e këtyre organeve që duhen riparë dhe iu bëj thirrje atyre që merren me Reformën në Drejtësi të rishikojnë të gjithë strukturat e miratuara.“, tha Haxhia.
Kjo deklaratë e Haxhias, vjen pasi Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka shpallur një bojkot pesëditor të të gjitha seancave gjyqësore penale, duke nisur nga e hëna e 20 tetorit deri më 25 tetor, në shenjë proteste ndaj arrestimit të avokatit U.B.
Vendimi për pezullimin e pjesëmarrjes në gjykata prek edhe proceset në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të seancave që lidhen me masat e sigurisë.