I kërkuari i drejtësisë shqiptare, Lulzim Berisha, pritet të ekstradohet sot nga Spanja drejt Shqipërisë.
Kreu i bandës së Durrësit do të mbërrijë në vendin tonë ditën e sotme, pasi ndaj tij ka një proces gjyqësor në Gjykatën e Posaçme për vrasjen e Klodian Saliut në vitin 2005.
Lulzim Berisha ishte arrestuar në Spanjë në Dhjetor 2023 në qytetin Alikante.
Gjykata spanjolle ka vendosur në Gusht 2024 ekstradimin e tij në Shqipëri, pavarësisht se Lul Berisha e kundërshtoi nga frika e hakmarrjes në vendin tonë.
KALVARET GJYQËSORE TË LULZIM BERISHËS:
Në 2012, Lulzim Berisha u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në Korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë.
Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në Dhjetor të 2016.
Katër vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia. Për të SPAK ngre akuzën e pjesmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005.
Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg.
Në Maj 2024, Lulzim Berisha ishte ndër personat për të cilët SPAK kërkoi arrestimin në lidhje me një procedim penal.