Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vijon të theksojë rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara në mbështetjen e vendit të tij kundër agresionit rus. Në një intervistë të fundit për programin “Meet the Press with Kristen Welker” në NBC, e cila ende nuk është publikuar, ai ka shprehur shqetësimin e tij për të ardhmen e Ukrainës në rast të mungesës së ndihmës amerikane.
“Pa mbështetjen e SHBA-së, shanset tona për t’i mbijetuar luftës me Rusinë do të jenë shumë të ulëta,“ ka deklaruar Zelensky, duke pranuar se vendi i tij mund të përballet me vështirësi ekstreme nëse nuk ka mbështetje të vazhdueshme nga Uashingtoni.
Ky qëndrim i presidentit ukrainas vjen pas një serie bisedash telefonike që ish-presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar me Zelensky-n dhe presidentin rus Vladimir Putin. Këto kontakte diplomatike kanë ngritur pikëpyetje mbi drejtimin që mund të marrë konflikti dhe mbi rolin e SHBA-së në të ardhmen e Ukrainës.
Një tjetër çështje e rëndësishme që mbetet e hapur është garancia e sigurisë për Ukrainën, për të parandaluar kërcënime të ardhshme nga Rusia. Në këtë kuadër, Kievi kërkon të sigurojë marrëveshje të qarta me SHBA-në, përfshirë edhe një konsensus mbi shfrytëzimin e burimeve natyrore të çmuara në Ukrainë. Sipas Zelenskyt, këto burime nuk duhet të jenë ekskluzivisht në duart e amerikanëve, por të jenë të aksesueshme edhe për Ukrainën.
Në një moment vendimtar për të ardhmen e konfliktit dhe të stabilitetit të rajonit, mbetet për t’u parë nëse Uashingtoni do të vijojë të jetë mbështetësi kryesor i Ukrainës apo nëse strategjia e saj e mbrojtjes do të kërkojë aleanca të tjera.
