Në Mal të Zi u zhvillua konferenca e përbashkët përmbyllëse lidhur me përgatitjen e dosjes përkatëse për UNESCO-n, me synimin e shpalljes së Liqenit të Shkodrës si Rezervë Biosfere Ndërkufitare.
Ngjarja mblodhi mbi 70 pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues nga palët dhe grupet e interesit, aktorë lokalë, donatorë, ekspertë, përfaqësues të ministrive relevante dhe sekretariatin e UNESCO-s.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri me dije se dosjet e nominimit janë gati për dorëzim në ministritë përkatëse. Këto dokumente synojnë të shërbejnë për dy qëllime kryesore: prezantimin e rezultateve të projektit dhe dakordësimin e mëtejshëm mbi hapat e nevojshëm për krijimin e SLW – TBR (Shkodra Lake Watershed – Rezervë Biosfere Ndërkufitare e Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Shkodrës).
Konferenca përfundimtare pati si qëllim të nxirrte në pah arritjet e deritanishme dhe të përcillte mesazhin e rëndësisë së bashkëpunimit dhe angazhimit rajonal për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij rajoni.
Programi i rezervave të biosferës synon të promovojë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të gjelbër në rajon, ku ndryshimi i mentalitetit dhe bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm janë thelbësorë për suksesin.
Në përmbyllje të konferencës u organizua një panair kulturor dhe natyror, që tregoi potencialet dhe mundësitë e rajonit të cili do të përfshihet në rezervën e ardhshme të biosferës.