Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, se Shqipëria ka shënuar progres të qëndrueshëm në fushën e transportit, energjisë dhe infrastrukturës, në përputhje me standardet europiane, siç reflektohet edhe në kapitujt përkatës të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Duke iu referuar Kapitullit 14 të negociatave, që lidhet me politikën e transportit, Rama tha se mesazhi i këtij kapitulli vlerëson progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në harmonizimin e politikave të transportit dhe legjislacionit me standardet europiane.
Sipas tij, arritjet kryesore lidhen me përmirësimin e sigurisë rrugore, rregullimin e tregut të transportit dhe planifikimin strategjik të infrastrukturës.
Në vijim, Kryeministri u ndal te Kapitulli 15, i cili ka të bëjë me energjinë, duke theksuar se arritjet gjatë vitit 2025 lidhen me përforcimin e angazhimit për tranzicionin energjetik dhe integrimin në tregun europian të energjisë. Ai theksoi se Shqipëria ka bërë progres në diversifikimin e burimeve energjetike, promovimin e energjive të rinovueshme dhe përmirësimin e eficiencës energjetike.
Sa i përket infrastrukturës rrugore, Rama tha se “tuneli i Llogorasë ka qenë një super sukses”.
Sipas tij, përtej debateve, impakti në sektorin e turizmit ka qenë shumë pozitiv, me një lëvizje të madhe njerëzish. Ai shtoi se gjatë këtij viti u hap edhe tuneli i Murrizit.
Në fushën e hekurudhave, Kryeministri vuri në dukje punën e bërë dhe faktin se këtë vit u sigurua përfundimisht financimi për linjën Vorë–Hani i Hotit, me një vlerë prej 320 milionë eurosh, të dhëna Shqipërisë nga WBF. Ai shtoi se ka vijuar konsolidimi i Korridorit VIII hekurudhor, një projekt me rëndësi rajonale dhe europiane.
Sipas Ramës, segmenti Durrës-Rrogozhinë është mbështetur me 120 milionë euro, ndërsa për segmentin Rrogozhinë-Pogradec deri në kufi me Maqedoninë e Veriut është në përfundim faza e projektimit të detajuar, e cila shërben si bazë për financimin e ndërtimit.
Në të njëjtën kohë, Kryeministri theksoi se janë hedhur themelet për projekte të reja strategjike, përfshirë linjën hekurudhore Porto Romano-Sukth-Rrogozhinë-Vlorë, linjën me aeroportin e Vlorës, si dhe linjën Durrës-Prishtinë, për të cilën, sipas tij, po punohet ngushtë me qeverinë e Kosovës, me synimin që ky projekt strategjik të çojë përpara lidhjen mes dy vendeve
