Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka folur këtë të mërkurë, më 12 nëntor, në komisionin për Çështjet Ligjore për projektbuxhetin e vitit 2026.
Gjatë fjalës së tij, Lamallari tha se buxheti i parashikuar për vitin e ardhshëm për këtë institucion kap shifrën prej rreth 15 miliardë lekësh.
Pjesa më e madhe e buxhetit për sistemin e burgjeve
Sipas ministrit Lamallari, buxheti i ardhshëm është përqendruar në forcimin e sistemit penitenciar, përmirësimin e infrastrukturës së brendshme dhe zbatimin e projekteve të reja në drejtësi dhe mjekësinë ligjore. Megjithatë pjesën më të madhe të buxhetit e merr sistemi i burgjeve. Plot 9.75 miliard lekë sipas tij, janë të dedikuara për “kushte më të mira jetese, siguri më të lartë, por edhe investime”.
Ndërtimi i IEVP Kukës, 225 milionë e 302 mijë lekë, një investim i rëndësishëm për të lehtësuar ngarkesën e institucioneve ekzistuese dhe për të balancuar shpërndarjen gjeografike.
Rikonstruksion IEVP Fushë-Krujë, 100 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Vlera totale e projektit është 320 milionë lekë, nga të cilat 220 milionë lekë janë financuar nga Ambasada Britanike dhe grande te tjera. Projekti parashikon rehabilitimin e plotë të infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve të brendshme, me synim rritjen e sigurisë dhe standardeve të jetesës së të dënuarve.
Ndërkohë 2.83 miliardë lekë janë parashikuar për përshpejtimin e zgjidhjes së dosjeve të mbetura në shërbimin e kthimit dhe kompensimit të pronave.
