3 32 696x539

Kuvendi miratoi sot me 80 vota pro dhe 22 vota kundër kërkesën për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se me miratimin e kërkesës për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar u vendos që projektligji të diskutohet dhe të miratohet brenda kësaj seance plenare.

Peleshi theksoi se, përpara se të nisë shqyrtimi dhe votimi i projektligjit, është e domosdoshme mbledhja e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme për shqyrtimin e tij.

Ai bëri të ditur se Komisioni do të ketë në dispozicion 1 orë e 20 minuta për shqyrtimin e projektligjit dhe se në orën 12:00 seanca plenare do të rifillojë për diskutimin dhe miratimin e tij.

Gjatë punimeve në Kuvend, fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të Partë Socialiste, Taulant Balla, i cili vuri në dukje rëndësinë e kësaj nisme.

Balla deklaroi në fjalën e tij në Kuvend se sot Kuvendi i Shqipërisë thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike, që shkon përtej rendit të zakonshëm të ditës dhe lidhet drejtpërdrejt me rolin e ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk ftohet si vëzhguese, por si bashkë-arkitekte në ndërtimin e një mekanizmi të ri ndërkombëtar për paqen,” u shpreh Balla, duke theksuar se ky zhvillim e vendos vendin nga periferia e diskutimeve globale në qendër të vendimmarrjes ndërkombëtare”, tha Balla ndër të tjera.

Nga krahu opozitës fjalën e mori Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili tha se, “ne jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe i kërkojmë autorizim Presidentit të Republikës, në përputhje me nenin 84 të Kushtetutës, që të japë miratimin për hyrjen e menjëhershme në fuqi të këtij projektligji. Kështu zgjidhim ngërçin kushtetues, respektojmë Kushtetutën dhe arrijmë qëllimin të paktën pesë herë më shpejt nga sa propozoni ju”, tha Bardhi.

Kuvendi një ditë më parë sqaroi se, duke qenë se pjesëmarrja e Republikës së Shqipërisë në Bordin e Paqes konsiderohet zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit, kërkesa për miratimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar bëhet në përputhje me parashikimin e nenit 83, pika 2, të Kushtetutës.

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim, marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes
së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe
përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Seanca plenare u kërkua pasditen e sotme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights