Seanca e 53 nuk arriti konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Pavarësisht se ishte parashikuar si seanca e fundit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, politika në Kosovë do ta tentojë edhe një herë të fundit tejkalimin e ngërçit.
Kryetari i këtyre seancave, Avni Dehari, njoftoi se në orën 22:00 do të zhvillohet një seancë tjetër.
“Ndërpritet seanca, në kuadër të përpjekjeve për themelimin e Kuvendit të Kosovës, takohemi sonte në orën 22:00”, tha ai.
Ky vendim u prit me ironi nga partitë që legjislaturën e kaluar ishin opozitare në Kosovë.
Mbledhja e sotme u zhvillua vetëm pak ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur një masë të përkohshme ndaj veprimtarive të Kuvendit. Sipas kësaj mase, që hyn në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht, Kuvendi mund të shfrytëzojë ditët e mbetura nga afati 30-ditor për konstituim, por nuk lejohet të marrë vendime të tjera.
Vendimi erdhi pas kërkesave të parashtruara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Duke qenë se deputetët nuk arrijnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë nga 27 korriku hyn në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese. Kjo, pasi nuk është e qartë se çfarë pasojash ka nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës brenda afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese.
Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, procesi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit është bllokuar. Kandidatura e Albulena Haxhiut është kontestuar nga partitë e tjera, si për emrin e propozuar ashtu edhe për mënyrën e votimit, që synohet të kalojë nga votim i hapur në të fshehtë.
Koalicioni i përbërë nga Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme në seancat e mëparshme për të zgjedhur kryeparlamentarin. Përfaqësues diplomatikë të vendeve perëndimore kanë shprehur hapur shqetësimin e tyre për vazhdimin e krizës politike në vend.