Ina zhupa

Deputetja demokrate, Ina Zhupa, reagoi në rrjetet sociale pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e bërë për ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”. Ajo paralajmëron dërgimin në Strasburg të çështjes.

“Dredhitë e Gjykatës Kushtetuese për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk na ndalojnë!  Në Strasburg për mbrojtjen e vendit! Nga sot nuk kemi më zona të mbrojtura”, shkruan ajo.

Sipas saj, ndarja 4 me 4 e gjyqtarëve për çështjen është përdorur si dredhi për “të vendosur pa vendosur, për të ruajtur status quo-në e qeverisë duke bërë sehir”.

“Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku në çështjen Marini kundër Shqipërise, 2007 shprehet se “del në përfundimin se parashikimi për ndarjen e votave në mënyrë të barabartë nuk i shërben sigurisë juridike dhe mund të privojë ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar për kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese”.  Nuk mund të fshihen pas ligjit, ku ska asnjë arsye juridike dhe morale se përse katërshja që mendon se nuk ka shkelje duhet të prevaloj mbi katërshen që argumenton se ka shkelje?!  Për sa më lart do shkohet në Strasburg për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare”, tha ajo.

Deputetët e opozitës kishin kërkuar shfuqizimin e këtij ligji më 1 nëntor të vitit të kaluar, me argumentin se është i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjet Ndërkombëtare, duke e konsideruar atë të rrezikshëm për mjedisin dhe trashëgiminë kombëtare.

Një njoftimin e Gjykatës, thuhet se trupa gjykuese vendosi t’i rrëzojë pretendimet e deputetëve për cenimin e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë natyrore, të parashikuar në Preambulën e Kushtetutës dhe për respektimin e detyrimeve ndërkombëtare, me argumentin se “Gjykata vëren se MSA-ja synon bashkëpunimin në luftën kundër degradimit të mjedisit, duke përcaktuar një proces përafrimi legjislativ pa vendosur detyrime konkrete të zbatueshme. Pavarësisht se në dukje ligji objekt kërkese liberalizon politikat shtetërore në administrimin e zonave të mbrojtura, ai, në thelb, përbën një ligj kuadër, i cili nuk është i vetëzbatueshëm dhe në vetvete nuk sjell pasoja dhe, për rrjedhojë, nuk cenon detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit sipas MSA-së.”

Gjykata i rrëzoi gjithashtu të gjitha pretendimet e tjera të opozitës, duke nisur nga pretendimet për lirinë e kërkimit shkencor dhe të sigurisë juridike në lidhje me komunitetin: “janë pretendime të reja, të paraqitura pas çeljes së shqyrtimit gjyqësor, për rrjedhojë ato nuk mund të merren në shqyrtim”.

Kurse për sa u përket pretendimeve për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit, parimeve të shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve normative, Gjykata vlerësoi, njëzëri, “se kërkuesi nuk ka sjellë argumente kushtetuese në mbështetje të tyre”.

Për sa i përket pretendimit për papajtueshmërinë e ligjit me MSA-në dhe cenimin e acquies communitarire, qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë, “për rrjedhojë, për sa kohë nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrje, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, ky pretendim konsiderohet i rrëzuar”.

Po ashtu u rrëzuan pretendimet që lidhen me procedurën parlamentare, që kanë të bëjnë me raportin shoqërues të projektligjit dhe konsultimin publik.

Kujtojmë se ligji “Për Zonat e Mbrojtura” u miratua në Kuvend më 22 shkurt të vitit 2024 mes shumë kundërshtimesh nga opozita. Ky ligj parashikon që në disa prej territoreve të klasifikuara si zona të Mbrojtura, do të mund të ndërtohen struktura akomoduese me qëllim zhvillimin e turizmit apo agroturizmit, por që sipas deputetëve të opozitës e gjitha po bëhet me qëllime përfitimi në kurriz të zonave të mbrojtura që rrezikojnë betonizimin.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights