Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, në kuadër të punës përgatitore për kthimin e shkollave të arsimit special në qendra burimore, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e këtyre shkollave nga qytete të ndryshme të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kushi bëri të ditur se, “qëllimi i qendrave burimore është të mbështesë arsimimin duke përmirësuar në vijimësi rezultatet e nxënësve, si dhe t’i përgatisë ata për gjithëpërfshirjen dhe aftësimin për jetën, duke zhvilluar aftësitë e duhura në të gjitha fushat e përditshmërisë së tyre”.

Kushi tha se, gjithëpërfshirja në shkolla të zakonshme vijon të mbetet përparësi e politikave arsimore.
Ajo theksoi se, “raporti i nxënësve me aftësi ndryshe që ndjekin arsimin gjithëpërfshirës ndaj arsimit special është përmirësuar nga 75% që ishte në vitin 2014 në rreth 90% në vitin 2022”.

Kushi falënderoi kolegët për kujdesin dhe përkushtimin që tregojnë çdo ditë për nxënësit me aftësi ndryshe.

Së bashku përcaktuam drejtimet kryesore dhe hapat që do të ndjekim në procesin e kthimit të shkollave speciale në qendra burimore, theksoi Kushi.
https://www.facebook.com/blueledED/