Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në një
konferencë për media tha se inflacioni ka rënduar jetën e qytetarëve në Kosovë,
prandaj do të fillojnë me një pako të re mbështetëse.

Ai në konferencën për media me ministrin e
Financave, Hekuran Murati tha se kjo po bëhet me qëllim që qytetarëve t’iu
lehtësohet përballja me inflacionin.

“Si qeveri mbetemi të përkushtuar për t’u dalë
në krah qytetarëve sa herë kjo është e nevojshme. Në linjë me këtë synim tonin
sot po prezantojmë një pako të re që ka për synim mbështetjen e qytetarëve për
t’u përballur me krizën inflacionare”, tha ai.

Sipas tij, nisur nga
gjendja e rënduar me energjinë më shumë se kurrë është e domosdoshme të
kursehet.

“Do t’i subvencionojmë ata që
kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj
të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dyfish faturën”, tha ai.

 

Kurti po ashtu tha se do të procedojnë në
qeveri e pastaj në kuvend Projektligjin për punë publike, që parasheh
kompensimin për inflacion për materiale ndërtimore dhe punët përcjellje për
kontratat ekzistuese të punës.

“Për pensionistët do të ndajmë shumën e
njëhershme prej 100 euro, ndërkaq familjet në asistencë sociale do t’i
mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj”, tha ai.

Ai po ashtu njoftoi se për zyrtarët publikë do
të ndajnë shtesën prej 50 euro duke filluar nga shtatori, kurse për punëtorët
në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 euro.

Sipas tij, 80 për qind janë të punësuar në
sektorin privat, sektor ky i prekur më së shumti nga inflacioni. “Do të
mbështesim secilin biznes që i rrit pagat e punëtorëve. Duke subvencionuar 50
për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e
parë”, bëri të ditur Kurti.

Ai tha se përkrahje do
të ketë edhe për studentët, ku do të ndahet shuma e njëhershme prej 100 euro në
nëntor kur viti akademik është duke u zhvilluar.
“Në muajt në vijim pra do t’i ndajmë rreth 150 milionë euro për pakon për
përballje me inflacion”, tha ai.

Në masën e subvencionimit të kursimit të
energjisë do të përfitojnë rreth 300 mijë familje, ndërsa nga pagesat direkte
do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati
tha se për të gjitha këto masa kriteret e përfitimit do të paraqiten me kohë
por sipas tij për shumicën prej tyre, si për shembull për punëtorët e sektorit
publik apo ndërmarrjet publike nuk ka nevojë të aplikohet pasi listat janë në
Thesar.

 

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights