Në ditën e dytë të shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri i Kosovë, Albin Kurti i shoqëruar nga kabineti qeveritar dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, vend të cilin Kurti e quaji kryeqendra e kryengritjes shqiptare.
Kurti pas homazheve tha se “familjes Jashari ia kemi borxh të përjetshëm dhe të pashlyeshëm angazhimin e përditshëm për ruajtën dhe mbrojtjen e vendit”.
“T’ia përkujtojmë vetës sonë çmimin e lartë që është paguar për shtetin e pavarur dhe sovran për çlirim e Kosovës për lirinë e popullit dhe të qytetarëve. Nga baba Shaban e nëna Zahide e deri te Blerina e vogël tre breza të Jasharajve për 3 ditë rresht ndodheshin në rrethim të shumëfishtë dhe të hekurt të Serbisë pushtuese dhe okupatore e cila me mijëra forca policore e ushtarake me makineri të rëndë shkrepi me mijëra e mijëra plumba mbi këtë familje që është simbol i kombit tonë sot. Tre breza të Jasharëve gjatë atyre 3 ditëve u flijuan për çlirimin e vendit për lirinë e popullit për Republikën dhe për bashkimin tonë. Familjes Jashari ne ia kemi borxh të përjetshëm dhe të pashlyeshëm angazhimin e përditshëm që ta ruajmë dhe mbrojmë shtetin dhe të drejtat e liritë e qytetarëve pa dallim”, tha ai.
Kryeministri, Kurti deklaroi se Kosova ka ushtrinë e saj që është amanet i kryekomandantit legjendar, Adem Jashari.
