Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë.
Ai tha se ish-krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër një regjimi gjenocidal.
Kurti në seancën solemne të Kuvendi i Kosovës për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë, tha se krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Slobodan Millosheviçit, duke shtuar se kërcënim për përsëritje të tyre është Serbia e Aleksandar Vuçiqit.
“Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës, brengosemi që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër shtypjes shekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik dhe politik të luftës çlirimtare, së cilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krimet kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare i ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënim për përsëritje të tyre sot është Serbia e Vuçiqit. Barazia mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është e paqëndrueshme dhe e papranueshme për ne”, tha Kurti.
Krahas kësaj, Kurti tha se Kosova nuk do të lëshojë pe kur është fjala për çështjen e sovranitetit shtetëror.
“Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Demokracia është burim dhe shprehje e sovranitetit të Kosovës”, theksoi Kurti.
