Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se shpreson që do të paraqitet një kandidaturë e dytë për president të Kosovës, në ditën e fundit të afatit kushtetues për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit.
Këtë deklaratë, Kurti e bëri pas mbledhjes solemne të Qeverisë, në mëngjesin e 5 marsit, për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pasdite duhet t’i vazhdojmë përpjekjet që ta zgjedhim presidentin. Urojmë, besojmë, shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë, në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, tha ai.
Aktualisht, i vetmi kandidat zyrtarisht i propozuar për president është Glauk Konjufca nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Konjufca, zëvendëskryeministër aktual dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, tha pas mbledhjes së Qeverisë se do të ishte mirë që edhe opozita të dilte me një kundërkandidat.
Sipas tij, opozita mund ta propozojë edhe presidenten aktuale, Vjosa Osmani.
Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill.
“Prioritet absolut e kemi shmangien e zgjedhjeve të reja, duhet të sigurohemi që jo t’i kemi 80, por 84 apo 85”, tha Kurti.
Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.
