Në kuadër të Dita Botërore e Poezisë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ndau një mesazh me rastin e kësaj dite, duke vënë në pah rolin e poezisë si një formë unike e shprehjes artistike dhe shpirtërore.
Kumbaro u shpreh se poezia mbetet një “buqetë emocionesh” që i jep zë ndjenjave njerëzore dhe shërben si një mjet komunikimi që kapërcen kufijtë gjeografikë dhe kulturorë.
“Këtë ditë festojmë poezinë si një buqetë emocionesh, me fuqinë për të udhëtuar përmes fjalës përtej çdo kufiri”, u shpreh ajo.
Duke vlerësuar trashëgiminë letrare shqiptare, ministrja solli në vëmendje vargjet e poetit të njohur Fatos Arapi, të cilat pasqyrojnë dimensionin njerëzor të jetës dhe përjetimeve.
“Jeta është stacion ndarjesh e takimesh.
Jemi përherë udhëtarë
dhe ndër duar, bagazh të pandarë,
një valixhe të vogël
përpjekjesh, sulmesh, kujtimesh”.
Sipas saj, poezia mbetet një urë lidhëse mes brezave dhe kulturave, duke nxitur reflektim, dialog dhe mirëkuptim në një botë gjithnjë e më dinamike.
Kumbaro theksoi gjithashtu se promovimi i artit dhe letërsisë është një element thelbësor për ruajtjen e identitetit kulturor dhe forcimin e vlerave shoqërore.
Në mbarë botën, Dita Botërore e Poezisë shënohet çdo 21 mars, si një mundësi për të nderuar poetët, për të inkurajuar leximin dhe shkrimin e poezisë, si dhe për të promovuar diversitetin gjuhësor dhe kulturor.
