Image 778 1024x688

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në konferencë për shtyp këtë të martë, 31 mars, ku po prezanton prioritetet, arritjet dhe nismat e fundit në sektorin arsimor. Fillimisht u fokusua tek progresi në përmbushjen e kapitujve 25 dhe 26 të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Nënvizoi se kapitulli 26, që lidhet me arsimin dhe kulturën, është pothuajse i përmbushur.

“Është krijuar Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar, me vendim të Këshillit të Ministrave, është miratuar Plani i Veprimit për Arsimin Digjital 2025-2030, i cili synon modernizimin e mësimdhënies dhe përdorimin e teknologjisë në procesin arsimor. Është lançuar Baza Shtetërore e të Dhënave të Arsimit të Lartë (SMIAL), që funksionon prej korrikut 2025 dhe gjurmon aktivitetin studimor online, duke përfshirë nota dhe klasifikime. Janë miratuar Plani i Veprimit për Arsimin e Lartë dhe Plani i Integritetit dhe është miratuar ligji për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, duke përmbushur të gjitha kriteret e kapitullit 26”, bëri me dije ministrja.

Për sa i përket kapitullit 25, që ka të bëjë me kërkimin shkencor dhe inovacionin, ministrja theksoi progresin e arritur:

“Janë miratuar aktet nënligjore të Ligjit për Kërkimin Shkencor. Buxheti për kërkimin shkencor po rritet gradualisht, duke arritur aktualisht në 0,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me synim të arrijë 1% deri në vitin 2030. Është miratuar Plani i Veprimit për Tabelën Evropiane të Inovacionit. Është krijuar platforma ACRIS, regjistri i kualifikimeve shkencore.”

Kumbaro tha se puna për përmbushjen e kapitujve 25 dhe 26 vazhdon sipas kalendarit, si pjesë e grupkapitullit 3 të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Njoftoi përfundimin e testimit ndërkombëtar PIRLS 2026, një nga vlerësimet më të rëndësishme për aftësitë e leximit te nxënësit, i cili u zhvillua në 180 shkolla në mbarë vendin.

“Duke qëndruar gjithmonë tek lajmet e ‘freskëta’, dua të ndaj me ju disa të dhëna mbi testimin PIRLS që u mbyll më 26 mars. Falë një pune me shumë përkushtim, testimi ndërkombëtar PIRLS u zhvillua në 4480 nxënës të shkollave tona nga datat 10–26 mars në gjithë Shqipërinë. Ky është një vlerësim që mat aftësitë e të kuptuarit të leximit për nxënësit 10-vjeçarë, por na jep të dhëna dhe na lejon të krahasohemi ndërkombëtarisht dhe do të na shërbejë për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të leximit tek nxënësit e shkollave. Përfitoj nga ky komunikim të falenderoj të gjithë nxënësit në radhë të parë, sepse nuk ka qenë një testim i lehtë, për herë të parë u zhvillua në mënyrë digjitale, nxënësit e kanë zhvilluar në kompjuter, kanë lexuar tekste të gjata mbi 800 fjalë dhe janë përgjigjur po nga tastiera, brenda një kohe të limituar”, tha Kumbaro.

PIRLS është një vlerësim ndërkombëtar që mat nivelin e të kuptuarit të leximit tek nxënësit, duke ofruar gjithashtu mundësinë e krahasimit me vendet e tjera. Të dhënat e marra nga ky testim do të shërbejnë për përmirësimin e mëtejshëm të aftësive të leximit në sistemin arsimor shqiptar. Rezultatet e testimit PIRLS pritet të publikohen vitin e ardhshëm.

Shtoi se po vijon puna për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, një institucion që do të reformohet me një sistem të ri, transparent, meritokratik dhe të besueshëm për administrimin dhe zhvillimin e testimeve në vend.

Kumbaro bëri me dije se projekti i Kampusit të Liceut Francez është tashmë gati, është miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe parashikon ndërtimin e kampusit brenda territorit të godinës historike të Liceut Francez.

“Jo më larg se dje në Këshillin Kombëtar të Territorit është miratuar projekti i kampusit të Liceut Francez i cili do të ndërtohet brenda territorit ku ndodhet godina historike e Liceut Francez, e cila do të vihet edhe ajo në dispozicion të shkollës ku do t’i shtohen edhe dy ndërtesa të reja, ndërtesa që ka të bëjë me klasat, laboratorët, bibliotekën dhe ndërtesa që do të këtë mensën dhe konviktin e shkollës që do ndërtohet, projekti tashmë është gati”, tha ajo.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights