Federata Shqiptare e Futbollit, po mban sot asamblenë e përgjithshme të saj.
Presidenti i Federatës, Armand Duka, ka mbajtur fjalimin e tij, duke u shprehur kryesisht falenderues ndaj kombëtares, për të gjitha arritjet e tyre dhe profesionalizmin e treguar prej tyre në çdo ndeshje. Kështu, Presidenti i FSHF-së shprehet Kombëtarja ka pasur një paraqitje dinjitoze në këtë kampionant të rëndësishëm.
Duka, u ndal dhe tek kualifikimi për herë të dytë të Shqipërisë në Kampionantin Evropian, duke thënë se ekipi shqiptar u vendos përballë vështirësive, por i menaxhoi ato me cilësi dhe profesionalizëm, pavarësisht rezultateve në fushë.
“Çdo gjë, u përgatit me shumë kujdes dhe profesionalizëm nga administrata e FSHF-së. Organizimi, akomodimi, e të gjitha elementët e tjerë, u përgjigjëm denjësisht nivelit të këtij kampionanti të rëndësishëm. Ekipi zhvilloi fazën përgatitore në Austri dhe më pas në Gjermani. Në qendrat stërvitore, u krijuan të gjitha kushtet e akomodimit dhe të stërvitjes për ta bërë ekipin të japë maksimumin e tij. Goli më i shpejtë në historinë e kampionantit evropian, i shënuar nga futbollisti ynë, Bajrami, në sekondin e 23-të ndaj sfidës të Italisë, është një moment që do të mbetet përjetësisht në historinë e futbollit kombëtar dhe atë botëror, duke veçuar kështu edhe paraqitjen dinjitoze të ekipit në ndeshjen kundër Kroacisë dhe mbështetjen fantastike të publikut shqiptar, që ishte gjithmonë aty për t’i dhënë zemër Kombëtares”, tha ai.
Sa i përket kualifikuesve të botërorit, Duka shprehet se ekipi shqiptar do të luftojë deri në fund.
“Kualifikueset për Botërorin 2026, u vendosëm përballë një grupi tepër të vështirë, me kundërshtarë si Anglia, Serbia, Letonia dhe Andorra, ku pas katër ndeshjeve, jemi në vendin e dytë me pesë pikë. Në sfidat me Serbinë dhe Letoninë, treguam karakter dhe guxim, e pse rezultati nuk reflektoi plotësisht atë që dhamë në fushë. Jemi ende në garë. Tashmë jo si favorite, por plotësisht të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë që na presin, por ekipi do të luftojë deri në ndeshjen e fundit kundër Anglisë në Tiranë, duke shpresuar fort që kjo të jetë një ndeshje finale”, tha ai.
Besimplotë u shpreh ndaj lojtarëve të Kombëtares, si dhe falenderues ndaj tyre për çdo emocion të përcjellë në çdo fushë të lojës.
“Kam besim të plotë tek futbollistët tanë. Tek stafi teknik dhe administrativ i Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe tek publiku që na mbështet pa kursim. Jam thellësisht mirënjohës dhe do të jem përjetësisht falenderues djemve të ekipit kombëtar për emocionet të paharrueshme që na kanë dhuruar”, u shpreh Duka.