Sarande 1

Një ngjarje e rëndë u regjistrua në Sarandë, ku policia arrestoi një person, i cili u kap duke transportuar vaj kanabisi me qëllim shpërndarjen e tij në këtë qytet bregdetar.

Bëhet fjalë për 35-vjeçarin Bajram Kanushi, i cili u ndalua në flagrancë nga shërbimet e rendit. Pas një njoftimi të ardhur përmes kanaleve operative, uniformat blu arritën të lokalizojnë dhe kapin Kanushin, i cili po transportonte lëndë narkotike në segmentin rrugor Delvinë-Sarandë.

Gjatë operacionit “Haze”, policia konfiskoi një sasi prej 3.5 litrash vaj kanabisi, si dhe një armë zjarri automatik kallashnikov, një thikë, 3 krehëra, municion dhe kanabis sativa në formë çokollate, të cilat u gjetën gjatë kontrollit të banesës së tij dhe gjatë kontrolleve fizike.

Nuk është e qartë se sa kohë Kanushi ka qenë i angazhuar në prodhimin dhe shpërndarjen e vajit të kanabisit, por ai do të merret në pyetje nga hetuesit për të zbuluar më shumë detaje mbi aktivitetet e tij të paligjshme.

Dosja hetimore ka kaluar tashmë në Prokurorinë e Sarandës për hetime të mëtejshme dhe për ndërmarrjen e veprimeve procedurale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights