“Më keq se ferri mbi tokë”, është përshkrimi që drejtuesja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Mirjana Spoljariç, i bën situatës në Rripin e Gazës.
Në një intervistë për median britanike BBC, ajo thotë se humanizmi po dështon me palestinezët e këtij territori dhe se kombet nuk po bëjnë aq sa duhet për t’i dhënë fund kësaj lufte shkatërrimtare, në mënyrë që jo vetëm të ndalet vuajtja e civilëve të pafajshëm palestinezë, por edhe të lirohen pengjet izraelite në duart e Hamasit.
“Palestinezët janë zhveshur nga dinjiteti njerëzor. E drejta ndërkombëtare humanitare po shterron. Ajo që po ndodh në Gaza tejkalon çdo standard të pranueshëm ligjor, moral dhe njerëzor”, deklaroi Spoljariç.
Kryqi i Kuq është një prej organizatave më të mëdha të vullnetarëve që japin ndihma për popullsitë civile në vendet e konflikteve të mëdha dhe krizave. Në Rripin e Gazës, kjo organizatë ka 300 vullnetarë, shumica e të cilëve palestinezë.
Deklarata vjen teksa orët e fundit në Rripin e Gazës është mbyllur çdo qendër e shpërndarjes së ndihmave, pasi Izraeli i konsideron të gjitha rrugët që të çojnë drejt tyre si zona luftimesh. Ditët e fundit ka pasur dhjetëra të vdekur mes civilëve të grumbulluar pranë këtyre qendrave nga sulmet izraelite, me argumentimin se janë qëlluar individë të lidhur me Hamasin mes turmave.