Kreu i qeverisë, Edi Rama, zhvilloi ditën e sotme, 4 korrik 2025, një takim me kandidatët socialistë të Tiranës. Mbledhja nisi në orën 09:00, në ambientet e selisë rozë dhe zgjati një orë.
Rama ka ndarë disa grupe pune gjatë ditës së sotme. Secili prej tyre do të ketë në fokus një zonë të caktuar kryeqytet dhe do të merret me evidentimin e problematikave dhe gjetjen e një zgjidhjeje për to.
Sa i përket çështjes së zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, ende nuk ka një vendimmarrje konkrete nga ana e Partisë Socialiste.
“Duket se janë duke pritur një vendim të gjykatës sa i përket Veliajt dhe pastaj për të pasur një vendimmarrje nëse bashkia më e madhe e vendit do të shkojë në një garë elektorale vjeshtën e këtij viti apo jo”, raportoi Omeri.
Ndërkohë Partia Socialiste është diskutuar mundësinë e zgjedhjeve në vjeshtën e këtij viti për disa bashki të tjera në vend që janë pa kryetar, pasi ata kandiduan në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Ky takim vjen një ditë pas përballjeve të Ramës me bashkinë Vlorë dhe Tiranë.
Mbledhja në Vlorë dhe shkarkimi i administratës
Një ditë më parë, 3 korrik 2025, kryeministri zhvilloi një mbledhje të pazakontë në bashkinë e Vlorës, ku kryetari Ermal Dredha, është vënë në qendër të kritikave nga kryeministri Edi Rama për keqmenaxhim të qytetit bregdetar.
Në prani të deputetëve socialistë të qarkut, kreu i qeverisë ka shprehur pakënaqësi për mungesën e ujit të pijshëm dhe papastërtine në qytet dhe përkeqësimin e shërbimeve publike.
Sipas burimeve, Rama ka kërkuar që të shkarkohen të gjithë drejtorët e bashkisë, duke i konsideruar ata të paaftë për t’i shërbyer qytetit dhe të shkëputur nga realiteti.
Ai ka kërkuar riorganizimin e menjëhershëm të bashkisë, dhe ka vendosur që procesi i rekrutimit të drejtorëve të rinj ndiqet nga dy përfaqësues të qeverisë.
Mbledhja në Tiranë dhe porositë e Ramës
Pasditen e djeshme, Rama mbajti dhe takim me drejtuesit e Bashkisë Tiranë, përfshirë kryetaren e komanduar, Anuela Ristani, ligjvënësit e rinj të zgjedhur nga 11 maji, por gjithashtu dhe me praninë e Ministrit të Financave, Petrit Malaj.
Ky takim ishte i shkurtër, pasi zgjati rreth 30 minuta, dhe në krahasim me mbledhjen në Vlorë, tonet ishin të qeta.
Mësohet se Rama u ka kërkuar deputetëve të jenë më shumë të pranishëm në terren, të evidentojnë problematikat e qytetarëve dhe të koordinojnë punën me pushtetin vendor për gjetjen e zgjidhjeve.
Për këtë janë ngritur disa grupe pune, të cilët kanë për detyrë të sjellin problematikat brenda dy javëve, kur pritet të zhvillohet një tjetër takim i zgjeruar.
Vëmendje të veçantë, kreu i qeverisë mësohet se i ka kushtuar zënies së trotuareve, duke kërkuar ndërhyrjen e IMT dhe INUK, por edhe ankesave që lidhen me shërbime të tjera.