54b1e4f8 0792 4c9c b3bc 2ee4249133d9

Kavajë, 31 Mars 2026 – Reforma Administrative Territoriale ka qenë sot në qendër të debatit në një tryezë të organizuar nga Partia Demokratike, me qëllim diskutimin mbi riorganizimin territorial, forcimin e pushtetit vendor dhe rikthimin e politikës më pranë qytetarëve. Takimi u zhvillua në Hotel Tirana International, salla “Akernia”, ku morën pjesë drejtues të lartë të Partisë Demokratike, përfaqësues të pushtetit vendor dhe ekspertë të fushës.

Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e Reformës Territoriale për vendosjen e një ekuilibri të ri politik dhe përmirësimin e funksionimit të bashkive dhe komunave në vend. Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, mbajti një fjalim të gjatë ku theksoi rëndësinë e angazhimit të opozitës dhe qytetarëve në këtë proces.

Ai e konsideroi Reformën Administrative Territoriale si një çështje kyçe për rikthimin e përfaqësimit të qytetarëve dhe llogaridhënies politike, duke u ndalur te sfidat e mëparshme dhe përgjegjësia që ka pushteti vendor.

Fjala e plotë e Fisnik Qosjas:

“I nderuar Dr. Berisha, Të nderuar pjesëmarrës, Ju falënderoj të gjithëve që i jeni bashkuar kësaj tryeze. Personalisht e konsideroj çështjen e Reformës Administrative Territoriale si çështjen politike më të rëndësishme të opozitës shqiptare.

Gjykoj se kjo reformë është e nevojshme, qofshin nga pikëpamja administrative, por mbi të gjitha nga pikëpamja politike. Që ta them më shkurt. Vendosja e një ekuilibri të ri politik në Republikën e Shqipërisë, rikthimi në shinat e përfaqësimit dhe llogaridhënies, si dhe ndoshta rotacioni politik që të gjithë po presin, kalon pikërisht nga kjo reformë. Mos të harrojmë pasojat e gabimeve të mëparshme. Mospjesëmarrja nuk është më opsion. Mospjesëmarrja është papërgjegjshmëri. Prandaj, opozita jo vetëm duhet të marrë pjesë, por duhet të shkojë aty me armët e saj më të fuqishme.

Me intelektin e saj, me vizionin e saj dhe me moralin e saj politik, që natyrisht përfaqëson edhe epërsinë tonë në tryezën e bisedimeve. Opsionet janë të shumta. Nuk më takon mua të merrem me detajet teknike të reformës. Jo se s’kam kapacitetin ta bëj, por besoj se fjala duhet lënë ekspertëve dhe partnerëve tanë, dhe ne duhet të jemi në pozitat korigjuese, gjithmonë pjesë e tryezave. Parimet që duhet të ndjekim janë të thjeshta, të drejta dhe të fuqishme.

Politika vendore nuk është thjesht administrim, është ura më e drejtpërdrejtë mes qytetarit dhe shtetit. Bashkitë janë aty ku sfidat prekin jetën e përditshme, dhe aty ku zgjidhjet duhet të jenë konkrete, të shpejta dhe të ndershme. Sot, përballë sfidave lokale, ne kemi edhe një përgjegjësi më të madhe: të sigurojmë që zëri i qytetarëve tanë të përfaqësohet denjësisht, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në arenën ndërkombëtare.

Është thelbësore që organizimin dhe funksionimin e bashkive ta shohim gjithmonë si një interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Çdo vendim, çdo reformë dhe çdo iniciativë duhet të ketë në qendër nevojat reale të tyre. Ne që jemi çdo ditë me qytetarët, mund të themi se sfidat dhe vështirësitë janë të mëdha. Kjo qeverisje e ka deformuar sferën publike dhe marrëdhënien e qytetarit me përfaqësuesit dhe me llogaridhënien.

Por pikërisht për këtë arsye, mesazhi im si kryetar, drejtuar kolegëve dhe çdo qytetari, është i qartë: të jemi aktivë. Të shfrytëzojmë mundësinë që ofron Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale për të kërkuar, sugjeruar dhe propozuar zgjidhjet që u nevojiten realisht komuniteteve tona.

Të shprehemi në rrugë zyrtare, të marrim pjesë në takimet rajonale dhe të kontribuojmë me përgjegjësi në këtë proces deri sa të kemi një draft që na jep mjetet e mjaftueshme për t’i dalë zot premtimeve tona, dhe për të kontribuar përmbajtësisht në administrimin e territorit, dhe për të rikthyer politikën si mjet për zgjidhje dhe zhvillim.”

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights