Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të vendosë trupat e saj paqeruajtëse në Ukrainë.
Në një opinion për gazetën Telegraph, Kryeministri britanik Keir Starmer tha se sigurimi i një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë që mbron sovranitetin e saj për një afat të gjatë është thelbësor për të penguar presidentin rus Vladimir Putin nga “agresioni i mëtejshëm”.
“Ne po përballemi me një moment shumë të rëndësishëm, siguria kolektive e kontinentit tonë. Kjo nuk është vetëm një çështje për të ardhmen e Ukrainës ajo është ekzistenciale për Evropën në tërësi. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të punojnë ngushtë së bashku. Evropa duhet të përparojë më tej për të përmbushur kërkesat e sigurisë së saj. Ne duhet të tregojmë se jemi vërtet seriozë për mbrojtjen tonë dhe për të mbajtur barrën tonë”.
Kryeministri britanik theksoi gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë të luajë një rol udhëheqës në mbrojtjen dhe sigurinë e Ukrainës, duke zotuar 3 miliardë Paund në vit deri në vitin 2030.
“Si kombe evropiane, ne duhet të rrisim shpenzimet tona të mbrojtjes dhe të marrim një rol më të madh në NATO. Disa vende të NATO-s kanë rritur tashmë shpenzimet e mbrojtjes me 20 përqind vitin e kaluar, por ne duhet të shkojmë më tej. Ajo që duhet bërë më pas është që vendet të jenë të gatshëm për të kontribuar në garancitë e sigurisë për Ukrainën duke vendosur trupat tona në terren nëse është e nevojshme. Fundi i kësaj lufte, kur të vijë, nuk mund të bëhet thjesht një pauzë e përkohshme përpara se Putini të sulmojë përsëri”.
Trupat e Mbretërisë së Bashkuar mund të vendosen së bashku me ushtarë nga vendet e tjera evropiane përgjatë kufirit midis territorit të mbajtur nga Ukraina dhe territorit të mbajtur nga Rusia.
Kryeministri më parë ka lënë të kuptohet vetëm se trupat britanike mund të përfshihen në mbrojtjen e Ukrainës pas një armëpushimi.
Starmer pritet të udhëtojë së shpejti në Uashington. Ai tha më herët se Britania mund të luajë një “rol unik” në negociatat për t’i dhënë fund luftës, duke vepruar si një urë lidhëse midis Evropës dhe SHBA-së gjatë procesit të paqes në Ukrainë.