Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, do të mbledhë të martën një takim urgjent të kabinetit për të diskutuar një rrugë drejt paqes në Gaza, në kohën kur rriten thirrjet për njohjen e menjëhershme të shtetit palestinez.
Sipas agjencisë DPA, Starmer ka thirrur ministrat e lartë të qeverisë gjatë pushimeve verore për të zhvilluar një mbledhje të posaçme mbi situatën në Gaza.
Zyra e kryeministrit bëri të ditur se Starmer ka ndarë planet që po zhvillon në bashkëpunim me Francën dhe Gjermaninë për “të sjellë një paqe të qëndrueshme”, gjatë një takimi me presidentin amerikan Donald Trump në Skoci. Ai pritet të ndajë detaje të mëtejshme të këtij plani edhe me shtetet arabe dhe aleatë të tjerë në ditët në vijim.
Starmer përballet me presion në rritje nga një pjesë e Partisë Laburiste dhe nga opinioni publik për të njohur menjëherë shtetin palestinez.
“Këtë javë, kryeministri është i përqendruar në një rrugë drejt paqes, që garanton ndihmë të menjëhershme për civilët në terren dhe një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete. E kemi të qartë se njohja e shtetit palestinez është një çështje kur do të ndodhë, jo nëse do të ndodhë, por duhet të jetë pjesë e një procesi më të gjerë që siguron siguri afatgjatë si për palestinezët, ashtu edhe për izraelitët”, theksoi zëdhënësi zyrtar i kryeministrit.
Sipas raportimeve të gazetës britanike The Telegraph, Starmer pritet të publikojë hapat që do të çojnë drejt njohjes zyrtare të Palestinës nga Britania, si dhe të diskutojë përpjekjet britanike për të ndalur urinë në Gaza.
Po ashtu, The Telegraph raporton se rreth një e treta e deputetëve laburistë po kërkojnë njohje të menjëhershme të Palestinës, ndërsa Starmer mund ta kushtëzojë këtë hap me arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, si dhe lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza.