Ka mbërritur në ambientet e gjykatës së Korçës, Shefki Bylykbashi, të cilit do t’i njoftohet masa e sigurisë. 77-vjeçari vrau djalin e tij 50-vjeç Hamdi Bylykbashin. Ngjarje kjo e ndodhur në fshatin Zevdë. Siç shihet edhe nga pamjet autori është shfaqur kokë-ulur para kamerave dhe gjithashtu i tensionuar.

Në sallë ai është dëgjuar teksa thotë se është në gjendje të mbaruar.

“Çfarë doni. Jam i mbaruar nga trutë”, ka thënë ai. Ndërkohë në sallë janë të pranishëm dhe familjarë të tij.

SI U FSHEH NGJARJA
Ngjarja u raportua fillimisht si aksidentale, por pas hetimeve të thelluara nga grupi hetimor u zbulua se Shefki Bylykbashi vrau djalin e tij Hamdi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Korçës, ishte sjellë i pajetë shtetasi Hamdi Bylykbashi, 50 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim verifikimin e rastit.

Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë. Nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babain, të cilin ka dashur ta hedhë në pusin e ujit në oborr.

Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me mjete të forta (çekiç që përdoret për të thyer gurë), ku si pasojë e dëmtimit të rëndë, i biri ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës. Shefki Bylykbashi, akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights