Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njofton se zyrtarisht për këto zgjedhje parlamentare janë regjistruar në total 39 procedime penale.
Përmes një postimi në platformën “Facebook”, SPAK bën me dije se nga këto 39 procedime penale, 21 prej tyre janë referuar nga Policia e Shtetit, 1 nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, 3 nga denoncimet e qytetarëve, 3 nga Prokuroritë e rretheve, 3 nga partitë politike, ndërsa 8 me iniciativën e vetë Prokurorisë së Posaçme.
Nga 39 procedimet penale, 33 janë për korrupsion aktiv në zgjedhje, 4 janë për korrupsion aktiv/pasiv në zgjedhje, 1 për përdorimin e funksionit publik për qëllime politike dhe 1 për shpërdorim detyre.
Prokuroria e Posaçme ka administruar 156 materiale në total. 39 prej tyre janë nën hetim nga SPAK-u, 25 janë vendime për mosfillimin e hetimit, 24 janë dërguar për kompetencënë prokuroritë e rretheve, 17janë dërguar për verifikim në Drejtorinë Vendore të Policisë dhe 1 është bashkuar me një çështje tjetër ekzistuese. Pjesa e mbetur sakaq është në process verifikimi.
Kujtojmë se SPAK dhe KQZ po bashkëpunojnë për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore të mundshme, duke pasur në dispozicion 16 zyra në të gjitha qarqet e vendit për të adresuar shqetësimet e qytetarëve sa i përket këtyre veprave penale. SPAK ka shpërndarë në terren 16 prokurorë, 3 prej të cilëve në Tiranë, 3 në Vlorë, 2 në Fier dhe nga 1 në 9 qarqet e tjera.