Policia shqiptare
Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion në Kavajë në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore. Me urdhër të Gjykatës së Posaçme ata kanë ushtruar ndaj pesë personave kontroll fizik dhe në banesat e tyre. Elvis Rroshit, 50 vjeç, iu bllokua celulari pas kontrollit fizik. Ndërsa në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish. Mirel Sinellës iu sekuestruan një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër. Ndërsa Orges Sinellës, Tak Rroshit dhe Tauland Hasës vetëm celularët. “Këta shtetas dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë”, njoftoi policia. Po ashtu bëhet me dije se në operacionin e kryer kanë marrë pjesë edhe agjentë të BKH-së.

Kush është Elvis Rroshi?

Elvis Rroshi është ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës. Ai e mori detyrën për drejtimin e qytetit në vitin 2011 dhe qëndroi në krye të saj deri në vitin 2016, kur dha dorëheqjen për shkak të akuzave se kishte falsifikuar formularin e vetëdeklarimit. Vitin e shkuar, GJKKO urdhëroi SPAK të regjistrojë hetimet ndaj tij, i dyshuar në dhënien e disa tenderave në kohën që ishte drejtues bashkie. Ai dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkelja e barazisë në tendera”. Hetimet janë nisur me bazë kallëzimin e bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) pas një auditi në Bashki në vitet 2013-2014. Emri i Elvis Rroshit u përmend gjatë kësaj fushate edhe nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit ironizoi opozitën se Rroshi i ishte bashkuar atyre pasi ka dalë në fushatë për kushëririn e tij, Elton Rroshi që kandidoi si deputet me Berishën. Me ironi Rama tha se kur Rroshi ishte kryebashkiak ishte kriminel për opozitën, por tani e kanë marrë vetë. “Keni dëgjuar një farë Elvis Rroshi. Tani e kanë marrë dhe është në rregull ai. Ishte kriminel kur, kështu që kjo është historia tani. Me mua rri se nuk ke ku shko. Vetë e ke fajin, vjen këtu”, tha Rama.
FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights