Një krim i rëndë tronditi mëngjesin e kësaj të premteje qytetin e Volosit në Greqi. Një 40-vjeçar shqiptar vrau bashkëshorten e tij 36-vjeçare, me të cilën kishte katër fëmijë, dhe më pas u arratis nga vendi i ngjarjes.
Sipas asaj që shkruan Protothema, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:00 (me orën lokale), në pallatin ku jetonte familja shqiptare, në rrugën “Konstanta”. Sherri mësohet se nisi brenda në shtëpi dhe vijoi në hyrje të pallatit. Pikërisht në këtë moment, shqiptari vrau bashkëshorten, dyshohet me thikë, dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Sipas të dhënave të deritanishme të Protothema, krimi ndodhi në sytë e fëmijëve të çiftit. Një prej tyre mësohet se i tha policisë: “E pashë babin duke goditur mamin me thikë”.
Mediat greke shkruajnë se, ndonëse familja nuk rezulton të kishte histori dhune të raportuara në polici, autori dyshohet se ishte përdorues i drogës dhe kishte tentuar të vetëvritej në qershor.
Megjithatë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij krimi të rëndë.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë për mediat vendase se e kishin dëgjuar sherrin dhe se autori e goditi 36-vjeçaren në qafë.
“Nuk e njihja çiftin. Unë thjesht kam magazinën këtu pranë. Dëgjuam policinë, ambulancën. Erdha këtu dhe pash ambulancën e policinë, e kishin mbyllur zonën. Dëgjova, por nuk e pash, se ishte një çift që u zunë në hyrje të pallatit. Ai ka shtyrë gruan dhe kështu u thyen xhamat e derës së pallatit. Thanë se kishte një thikë dhe e preu në fyt. Më pas ata e kërkuan burrin, por ai u zhduk. Ambulanca u përpoq ta risjellë në jetë. Thonë se ishin duke u zënë, nuk di gjë më tepër… Kështu u thyen xhamat e derës, ndoshta se ishte gruaja duke hyrë brenda, ndoshta se ai e shtyu. Por nuk dihet”, tha një dëshmitare.