Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ishte e ftuar nderi në panelin e nivelit të lartë të Komitetit të Sigurisë Ushqimore Globale (CFS), me temë “Bujqësia në “Normalitetin e Ri”: Sistemet ushqimore të qëndrueshme për një botë në ndryshim”.
Krifca po merr pjesë në Forumit Global për Ushqimin dhe Bujqësinë 2023, që mbahet në kuadër të Javës së Gjelbër, që zhvillohet në Berlin të Gjermanisë.
Ministrja është ftuar nga Komisioneri Evropian për Bujqësinë, Janusz Wojciechoëski për të qenë pjesë e Panelit Ministror të Nivelit të Lartë në Forumin Global 20223 për Ushqimin dhe Bujqësinë (GFFA).
Në fjalën e saj, Kfrica diskutoi shembullin e Shqipërisë në lidhje me përballjen ndaj vështirësive të efekteve të luftës, përballjen me efektet e ndryshimeve klimatike, si dhe lidhjen mes biodiversitetit dhe bujqësisë në funksion të fuqizimit të prodhimeve tipike, unike, mbrojtjes së tyre me qëllim dhënien e vlerës së shtuar për komunitetet e thella rurale.
Në këtë panel merrnin pjesë Johan Swinnen, drejtor i përgjithshëm i Institutit Ndërkombëtar Kërkimor për Politikat Ushqimore Murray Watt, ministër i Bujqësisë së Australisë dhe Jean-Marie Paugam, zëvendës drejtor i Organizatës Botërore të Tregtisë.
Komiteti shfaqi interes shumë të madh mbi masat e marra në ruajtjen e zinxhirit të furnizimit agro-ushqimor shqiptar përballë një realiteti të ri që solli pandemia dhe më pas lufta në Ukrainë.
“Shqipëria është një shtet i vogël, por me një kontribut të bujqësisë rreth 18% në GDP. Rreth 30% e popullsisë sonë është e punësuar në bujqësi. Ne kemi bujqësi të përqëndruar dhe të orientuar në kultura në në cilat ne kemi një avantazh konkurrues, për shkak të pozicionit tonë shumë të mirë gjeografik. Ne kemi një objektiv shumë ambicioz në lidhje me eksportet të fruta-perimeve dhe bimëve medicinal”, tha ministrja.
Krifca vuri në dukje se “Shqipëria ka një bujqësi prodhuese. Ne importonim thuajse 40% të nevojave tona për grurë nga Ukraina, dhe kjo solli praktikisht një rrezik të madh në furnizimin e shtetit me ushqimet bazë”.
Ministrja u ndal në masat e marra nga vendi ynë, me politikat e brendshme për bujqësinë, por edhe me bashkëpunimin rajonal për përballimin e pasigurive. “Bashkëpunimi i Shqipërisë me vendet fqinjë si përgjigje ndaj krizës ushqimore, unë mendoj se është një qasje shumë e mirë dhe pozitive”, u shpreh Ministrja.
“Ne arritëm të mbyllnim vitin me një rritje të eksporteve me rreth 18% të produkteve tona bujqësore edhe pse patëm një vit me rrezikshmëri të lartë në bujqësi, përmes masave që ne ndërmorëm ne trefishuam buxhetin në mbështetje të fermerëve tanë për vitin e kaluar, me qëllim mbështetjen e tyre ndaj rritjes së kostove të produkteve të prodhimit. Kështu që mendimi im është se sovraniteti ushqimor shpesh ndërtohet dhe forcohet nga bashkëpunimi dhe angazhimi i faktorëve të jashtëm”, vijoi ajo.
Ministrja u pyet edhe në lidhje me agjendën e qeverisë në përballjen me ndryshimet klimatike që po rrisin pasiguritë në bujqësi dhe zinxhirin ushqimor, duke theksuar se po investohet për një strategji kombëtare në adresimin e këtyre sfidave, ndërkohë që vendi pasqyron ambicie të lartë mjedisore edhe në përputhje me qëllimin për t’u anëtarësuar në BE.
“Ndërkohë që ne investojmë rëndësishëm në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytjet, që është gjithashtu në buxhetin e ministrisë së bujqësisë në Shqipëri, ne jemi gjithashtu duke hartuar strategji afatgjata për të reduktuar emetimet e gazeve serrë dhe duke integruar veprime klimatike në të gjithë aktorët e sektorit tonë publik. Me programin IPARD II ne kemi implementuar rreth 10 milion euro investime për sektorin privat në teknologji për kursimin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit. Po shohim praktikat e implementuara në bujqësi nga fermat tona për përdorimin e bionaftës, biogazit, fotovoltaikëve të erës dhe investitorë të tjerë, që janë krejtësisht risi në realitetin shqiptar, ndaj mendoj se jemi në rrugën e duhur”, u shpreh ministrja.
Krifca iu përgjigj edhe interesimit se çfarë po bën Shqipëria për ruajtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve duke vënë në dukje fillimisht se në fokus të punës së saj në dy vitet e fundit ka qenë së pari identifikimi i produkteve tipike lokale, të cilat nuk njihen gjerësisht, nuk janë të marketuara për t’u dhënë atyre vlerë.
“Dua t’ju jap shembullin e një varieteti rrushi të veçantë, i cili quhet Kallmet, një varietet autokton për të cilin jemi shumë krenarë, daton rreth 500 vite më parë dhe gjendet në veri të Shqipërisë. Këtë varietet fermerët tanë e kanë prodhuar vit pas viti. Ne po punojmë për të ruajtur karakteristikat, territorin, origjinën e mbrojtur, në mënyrë që në kadastrën e vreshtave të mos të ngatërrohet e të mos zhduket. E njëjta logjikë zbatohet edhe për varietetet e ullirit, në mënyrë që të jepet vlerë e shtuar e të brandohen këto produkte tipike që janë shumë specifike dhe që kanë vlerë për biodiveristetin tonë, dhe të mund t’i komercializojmë, por duke u kujdesur që të mos humbim vlerën e produktit”.
Ministrja Krifca po ashtu iu përgjigj shqetësimit në rritje edhe në vende të tjera për largimin e të rinjve nga sektori i bujqësisë, duke theksuar disa masa specifike të ndërmarra në vendin tonë.
“Të rinjtë duhet të shohin potencialin për të përdorur bujqësinë si vlerë e shtuar në aktivitete të tjera ekonomike. Agroturizmi është një nga ato. Mosha mesatare e njerëzve që janë duke drejtuar aktualisht aktivitete në agroturizëm në vend është 35 vjeç. Ata po punësojnë 20 njerëz mesatarisht për çdo agroturizëm, po punojnë me produkte ardhur nga 50 ferma rreth tyre”, u shpreh ministrja Krifca.
GFFA është një konferencë ndërkombëtare mbi çështjet qendrore me rëndësi jetike për politikat globale bujqësore dhe ushqimore. Mbahet çdo vit në Berlin, organizuar nga Ministria Federale e Ushqimit dhe Bujqësisë e Gjermanisë