Kryeministri Edi Rama ka uruar Presidenten Vjosa Osmani, pasi mori ftesën që edhe Kosova të bëhet pjesë e Bordit të Paqes. Kreu i qeverisë shqiptare e sheh këtë gjest si tejet domethënës nga ana e presidentit Trump ndaj Kosovës.
Sipas tij, ftesa jep po ashtu një sinjal domethënës për sigurinë dhe përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë. Ai këshillon politikën në Kosovë që ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Trump.
“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë. Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht”, shkruan Rama.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar ftesë personale nga udhëheqësi amerikan, Donald Trump, që ta përfaqësojë vendin në Bordin e Paqes, “si anëtare themeluese”.
Ky bord pritet të mbikëqyrë udhëheqjen e Rripit të Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian.
“Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike”, shkroi Osmani në Facebook më 21 janar, teksa publikoi ftesën e dërguar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidentja kosovare tha se SHBA-të sollën paqen në Kosovë dhe Kosova sot është aleate “e palëkundur e saj për ta çuar paqen më tej”.
“Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, shkroi ajo.
Përveç Kosovës, edhe Shqipëria dhe shtete të tjera kanë pranuar ftesa të tilla.
