Euro 1 733x450

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se Qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari i vitit 2025.

“Do të bëjmë një rritje substanciale të pagave në sektorin publik në fillim të vitit të ardhshëm, duke ruajtur qëndrueshmërinë afatgjate të buxhetit dhe sipas ligjit në fuqi”, tha Kurti në një konferencë për media.

Ai theksoi se po e bën këtë për t’i mbështetur ata që kanë paga më të ulëta dhe për ta ngushtuar hendekun mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë.

“Ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar të rritjes buxhetore për pagat dhe kemi vendosur të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por ta rrisim koeficientin për një njësi. Pra, vlera e një koeficienti mbetet 110 euro. Mirëpo, rritet sasia e koeficienteve për njësi”, shpjegoi ai.

 

Sipas Ligjit për Pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Niveli shumëzohet me vlerën dhe përcakton pagën.

 

Kurti shpjegoi se “duke filluar nga janari i viti të ardhshëm koeficienti do të rritet për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku 2024 edhe për 0.5 njësi të tjera. Pra, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar i bëhet 6.1, kurse në korrik 6.6. Ngjashëm edhe për dikë që e ka koeficientin 10.5, në janar i bëhet 11 dhe pastaj 11.5″.

Ai tha se do t’i rrisë pagat edhe një herë verën e ardhshme, por vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në shkurt 2025.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights