1000 0 KR BAJRAMI NE KOSOVE frame

Besimtarët myslimanë në Kosovë i janë bashkuar sot festimeve të Fitër Bajramit, duke shënuar fundin e një muaji përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi shpirtëror.

Në orët e para të mëngjesit, qindra qytetarë u mblodhën në xhaminë e madhe në Prishtinë për të marrë pjesë në ceremonitë fetare, që nisën me faljen e namazit të sabahut dhe vijuan me ligjërata kushtuar kësaj dite të shenjtë.

Mesazhet e përcjella gjatë ceremonisë theksuan se Islami nuk është vetëm një përkatësi kulturore, por një mënyrë jetese që formëson ndërgjegjen, disiplinon shpirtin dhe forcon raportin e njeriut me shoqërinë.

Falja e namazit të Fitër Bajramit u drejtua nga kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, ndërsa myftiu Naim Tërnava në hytben e tij përcolli mesazhe të forta për paqe, solidaritet dhe unitet.

Ai u ndal te rëndësia e moralit si fryti më i vyer i Ramazanit, duke theksuar se agjërimi nuk është vetëm ndalim nga ushqimi, por një proces pastrimi shpirtëror dhe afrimi me vlerat njerëzore.

Me një thirrje të drejtpërdrejtë për klasën politike, myftiu apeloi për më shumë përgjegjësi, dialog dhe vendosjen e interesit të vendit mbi çdo interes tjetër, duke theksuar se zhvillimi i shoqërisë nuk duhet të mbetet peng i krizave politike.

Fitër Bajrami në Kosovë shoqërohet edhe me pritje tradicionale dhe vizita familjare, ndërsa Bashkësia Islame organizon pritjen e urimeve për besimtarët. Kjo ditë mbetet një simbol i forcimit të vlerave të bashkëjetesës, mëshirës dhe kujdesit për njëri-tjetrin.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights