Është arrestuar në Cërrik 39-vjeçari Engjëll Ibrahimi, i shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare për përfshirje në një laborator droge ku u sekuestrua një sasi prej 1 ton kanabis. Policia e Elbasanit bëri të mundur ndalimin e tij, bazuar në një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata e Pejës.
Ibrahimi akuzohet për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Trafikimin e lëndëve narkotike”, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Ndaj tij është vendosur masa e sigurisë “Arrest në burg”. Autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Kosovës, ku do të përballet me drejtësinë.
Vetëm pak ditë më parë, në të njëjtën zonë, u arrestua edhe një tjetër person i kërkuar nga Kosova, 33-vjeçari Albano Saliu, për lidhje me laboratorin e zbuluar më 27 shtator. Policia kishte vënë më herët në pranga edhe 34-vjeçarin Erjon Etmenaj, i cili përballet me akuza të ngjashme.
Ndërkohë, dy persona të tjerë të shpallur në kërkim për këtë rast, Eldi Mykaj dhe Mirjon Qokli, të moshës 27 vjeç, vijojnë të jenë në arrati. Policia ka intensifikuar kërkimet për kapjen e tyre dhe për të çuar përpara hetimet mbi këtë rrjet të organizuar droge.