Një 46-vjeçare ka rënë në prangat e policisë së Korçës pasi përfitoi 3 milionë euro duke mashtruar biznese të ndryshme nëpërmjet postës ku punonte.
Uniformat blu raportojnë se bëhet fjalë për shtetasen Alma Beqiri, e cila punonte si agjente e shërbimeve postare private.
46-vjeçarja ishte nën hetim prej disa muajsh pasi dyshohet se ka vjedhur shuma monetare në lekë dhe valutë, duke mashtruar bizneset të cilat operonin online dhe dërgonin porositë e tyre tek klientët në Korçë.
Sipas policisë, mësohet se pasi qytetarët që kishin bërë porosi nga këto biznese merrnin pakot e tyre dhe kryenin pagesën, Beqiri nuk ua dorëzonte këto pagesa bizneseve duke i mashtruar. Hetimi ka filluar pak muaj më parë, pas denoncimeve të bëra nga disa biznese. 46-vjeçarja gjatë periudhës 2021-2023, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3 000 000 euro.
Shumat e përfituara, gruaja dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emrin e saj dhe të familjarëve.
Në lidhje me rastin po hetohet nga ana e prokurorisë dhe policisë nëse ajo ka vepruar e vetme apo ka patur edhe bashkëpunëtorë.
https://www.facebook.com/blueledED/

