Policia ka arrestuar shtetasin me inicialet D.H, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla.
Arrestimi i tij u bë gjatë kontrolleve të zhvilluara mëngjesin e sotëm, 21 korrik, në disa banesa, në kuadër të hetimeve të prokurorisë për djegiet e ndodhura në landfillin e Elbasanit.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestuar 30 fishekë luftarakë, të cilët do të përdoren si provë materiale.
“Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve: -B. Ç., 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë; -D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak“, thuhet në njoftimin e policisë.
Kujtojmë se Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar 14 urdhra-kontrolli në Elbasan, lidhur me një hetim të vitit 2024 për zjarrin te mbetjet.