Pas një dite të tërë në ndjekje, policia ka vënë në pranga dhe të dyshuarin e tretë i cili u shpall në kërkim pas operacionit të së mërkurës, lidhur me kontrabandën e naftës. Policia e Fierit bëri sot me dije se ka arrestuar edhe 34-vjeçarin E.S, në kuadër të aksionit të koduar “Liquid”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ndaluan për veprat penale ‘Ruajta dhe magazinimi i mallrave kontrabandë’ dhe ‘Fshehja e të ardhurave”, shtetasin E. R., 34 vjeç, banues në Fier, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Liquid’, si rezultat i të cilit, dje, u vunë në pranga 2 shtetas që magazinonin dhe transportonin lëndë hidrokarbure të dyshuara të kontrabanduara.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në kuadër të këtij operacioni, ditën e djeshme u arrestuan dy persona, të cilët akuzohen se magazinonin dhe tregtonin lëndë hidrokarbure të dyshuara të kontrabanduara. Sipas policisë, autoboti me drejtues shtetasin B. D., u ndalua në aksin rrugor “Fier-Mbrostar”, i cili po transportonte lëndë hidrokarbure, të pashoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se autoboti ishte ngarkuar me lëndë hidrokarbure në një ambient në pronësi të shtetasit M. M. dhe se do të magazinohej në një ambient në pronësi të shtetasit E. R.