Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho, në lidhje me konsultimet për datën e zgjedhjeve.
Në një prononcim për mediet pas takimit, Blushi tha se “qëndrimi i Partisë së Lirisë ishte që është e pranueshme çdo datë veç asaj të caktuar nga Taulant Balla. Kjo është një mundësi edhe për institucionin e Presidentit për të treguar pavarësi nga pretendimi se ky institucion mund të jetë kthyer në një noter të 2 të mazhorancës, pas Kuvendit”.
“S’mund të jetë data që është paracaktuar nga Balla. Së bashku me Erisa Xhixho shprehëm shqetësimin për mungesën e reagimit në mbrojtje të ish-presidentit, që gëzon status të veçantë mbrojtjeje nga shteti. Ky duhet të ishte i pari që të dënonte me forcë rrëmbimin kriminal e banditesk, me banditë me maska që ushtruan dhunë ndaj ish- presidentit”, theksoi Blushi.
Më tej Blushi tha se “protestat periodike para SPAK, që është shndërruar një strukturë kriminale që shërben si hanxhar në duart e Ramës për të asgjësuar opozitën e vërtetë dhe pluralizmin që me masa ekstreme ka izoluar ish-presidentin, liderin e opozitës dhe po bën çdo përpjekje për të minuar çdo proces të rregullt ligjor, për të vijuar qëndrimin në pushtet të këtij regjimi. Po vepron në mënyrë kriminale e banditeske kundër opozitës”.