Screenshot 2026 03 25

Një bashkim kompanish ndërkombëtare, franceze dhe spanjolle, ka nënshkruar një kontratë me vlerë rreth 8,8 milionë euro për të ofruar shërbime këshillimi dhe mbikëqyrjeje në projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.

Konsorciumi SAFEGE-EPTISA, i përbërë nga SUEZ Consulting (SAFEGE) nga Franca dhe EPTISA Servicios de Ingeniería S.L. nga Spanja, do të mbulojë mbikëqyrjen e të gjitha punimeve civile, furnizimeve dhe instalimeve të sistemeve elektromekanike, duke garantuar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare, kontrollin e cilësisë dhe respektimin e afateve të projektit.

Projekti zbatohet nga Hekurudha Shqiptare (HSH) dhe financohet nga institucione ndërkombëtare përmes granteve dhe huave, duke u mbështetur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Kontrata u nënshkrua në shkurt 2026 dhe parashikon një afat përfundimi deri në gusht 2032, p[r shkak t[ natyrës shumëfazëshe të projektit. Përzgjedhja e konsorciumit u bë përmes një tenderi të hapur.

Rehabilitimi i linjës Vorë-Hani i Hotit, pjesë e një investimi më të gjerë në sektorin hekurudhor shqiptar me një vlerë totale prej rreth 356 milionë eurosh, përfshin ndërtimin dhe rikonstruksionin e rreth 120 kilometrave linjë hekurudhore. Projekti synon integrimin e Shqipërisë në rrjetin hekurudhor europian TEN-T dhe në Korridorin Pan-Europian X.

Linja ekzistuese, ndërtuar gradualisht midis viteve 1960 dhe 1985, lidh zonat urbane të ultësirës perëndimore të Shqipërisë dhe shtrihet deri në kufirin me Malin e Zi në Han të Hotit. Pjesë e itinerarit janë disa bashki, ndërsa linja ka operuar me kufizime për vite dhe u ndërpre pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights