Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se sulmi terrorist i një viti më parë në Banjskë, nga paramilitarët serb, ishte skenar identik me pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014.
Këto komente Konjufca i bëri gjatë konferencës ndërkombëtare “Ndikimi i agresionit rus në Ukrainë në gjeopolitikën evropiane”, të organizuar nga Instituti për Studimet e Luftës Hibride “Octopus”.
“Sulmi terrorist që ndodhi ndaj Kosovës në Banjskë vitin e kaluar, ishte një replikë identike e sjelljes agresore të Rusisë kundër Ukrainës. Trupat paramilitare serbe të trajnuar nga ushtria serbe, të pajisur me arsenal luftërat të Ministrisë serbe të Mbrojtjes dhe me zbatimin e aspiratës së Beogradit për ta ndarë Kosovën, e synuan në mënyrë të hapur dhe mënyrë luftarake aneksimin e pjesës veriore të Kosovës, me ç’rast në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit në luftë me këtë grup paramilitar e dha jetën rreshteri i PK-së, Afrim Bunjaku”, ka thënë Konjufca.
Ai ka shtuar se pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës kanë ndikuar në Kontinentin Evropian në paqe e siguri, në politikë e gjeopolitike, më shumë se sa në luftën e dytë botërore.