Treg karburante

Konfindustria ka shprehur mbështetje për vendimin e qeverisë shqiptare, përmes Bordit të Transparencës, për vendosjen e çmimeve tavan të karburanteve në tregtinë me shumicë dhe pakicë.

Në një reagim zyrtar, Konfindustria thekson se kjo përbën ndërhyrjen e parë të drejtpërdrejtë të ekzekutivit në tregun e karburanteve, në kushtet e një krize të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Sipas saj, masat e marra janë në të njëjtën linjë me politikat e ndjekura nga vendet e rajonit dhe më gjerë për zbutjen e efekteve të krizave globale në tregjet energjetike.

Konfindustaria nënvizon se çmimet e vendosura për produktet e karburanteve rezultojnë mbi 8% më të ulëta, çka sipas saj dëshmon për ekzistencën e hapësirave për spekulime nga operatorët e tregut dhe për nevojën e forcimit të mbikëqyrjes në këtë sektor strategjik.

Në këtë kuadër, Konfindustria i bën thirrje qeverisë që, krahas kontrollit të vazhdueshëm përmes Bordit të Transparencës, të ndërmarrë masa të mëtejshme strukturore. Ndër rekomandimet kryesore përfshihen ulja e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat e mjeteve deri në nivelet mesatare të rajonit, si dhe krijimi i një enti rregullator të posaçëm për karburantet, si institucion i përhershëm mbikëqyrës.

Gjithashtu, Konfindustria kërkon rishikimin e strukturës aktuale të tregut, duke evidentuar problematika të mundshme të tipit kartel dhe oligopol në hallkat e importit, përpunimit dhe tregtimit të karburanteve.

Në përfundim, Konfindustria propozon ndërtimin e një rafinerie për përpunimin e naftës vendase, me synimin për të mbuluar të paktën 30% të nevojave vjetore të vendit, duke rritur kështu sigurinë energjetike dhe pavarësinë ekonomike të Shqipërisë.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights